Drejtoresha e Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Partinë Demokratike, Ilda Zhulali, deklaroi se Shqipëria ka marrë një sinjal negativ nga Bashkimi Evropian lidhur me procesin e integrimit.
E ftuar në një emision televiziv, Zhulali tha se kryeministri Edi Rama, sipas saj, u përpoq të shmangte këtë zhvillim gjatë deklaratave publike.
Sipas saj, në një takim të zhvilluar në Bruksel nga grupi i vendeve që merren me paketën e zgjerimit të BE-së, u diskutua për progresin e Shqipërisë dhe Malit të Zi në përmbushjen e kushteve për integrimin europian.
Zhulali theksoi se raporti kishte të bënte me përmbushjen e kushteve të ndërmjetme që lidhen me kapitujt më të rëndësishëm të negociatave, si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe respektimi i të drejtave të njeriut.
Sipas saj, vendimi i shumicës parlamentare për të rrëzuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku ka ndikuar negativisht në vlerësimin e Shqipërisë.
“Lajmi i keq që u shmang nga zoti Rama është që Shqipëria sot mbeti në klasë, dhe kjo erdhi si pasojë e vendimit për të mbrojtur Ballukun,” u shpreh Zhulali.
