Nga ARRSH te AKSHI, SPAK në ofensivë kundër korrupsionit në tenderë

Data

Tenderët publikë në Shqipëri po konsiderohen gjithnjë e më shumë si një nga burimet kryesore të abuzimeve financiare, ndërsa SPAK ka intensifikuar hetimet në këtë drejtim.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë dy viteve të fundit janë vënë në akuzë 148 persona, mes tyre anëtarë të Komisioneve të Vlerësimit të Ofertave, drejtues institucionesh dhe zyrtarë të lartë. Vetëm gjatë vitit 2025, 53 prej tyre janë dërguar për gjykim në Gjykatën Antikorrupsion.

Hetimet përfshijnë një gamë të gjerë institucionesh dhe projektesh publike, duke nisur nga ndërtimi i ujësjellësve dhe infrastruktura rrugore, deri te projektet në universitete, energjetikë dhe teknologji. Në fokus kanë qenë edhe procedurat për ndërtimin e komisariateve, palestrave, ndriçimit publik si dhe investime të mëdha të administruara nga ARRSH dhe institucione të tjera shtetërore.

Sipas SPAK, korrupsioni në tenderë realizohet përmes manipulimit të procedurave dhe përdorimit të pozitave zyrtare për përfitime personale. Kjo përfshin krijimin e avantazheve artificiale për kompani të caktuara, duke dëmtuar konkurrencën dhe cilësinë e projekteve publike.

Megjithatë, pavarësisht numrit të lartë të të akuzuarve, rezultatet në aspektin financiar mbeten të kufizuara. Deri më tani, vetëm në tre raste janë sekuestruar pasuri dhe llogari bankare, kryesisht të kompanive të përfshira në skema të dyshuara për punime fiktive dhe transaksione të dyshimta.

Hetimet kanë sjellë gjithashtu një efekt frenues në administratë, pasi shumë anëtarë të komisioneve të tenderëve janë tërhequr ose janë bërë më të kujdesshëm për shkak të rrezikut të ndjekjes penale.

SPAK thekson se lufta kundër korrupsionit në tenderë mbetet një prioritet, ndërsa paralajmëron se hetimet do të thellohen dhe do të përfshijnë nivele edhe më të larta të administratës publike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related