Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka marrë një valë reagimesh pozitive në rrjetet sociale pas publikimit të një pjese të podcast-it të saj me filozofen Lea Ypi.
Shumë ndjekës nga Shqipëria dhe vende të tjera e kanë përgëzuar artisten për përdorimin e platformës së saj ndërkombëtare për të diskutuar tema që lidhen me Shqipërinë, duke e cilësuar këtë si një kontribut të rëndësishëm në nxitjen e debatit publik.
Në komentet e publikuara në rrjetet sociale shfaqen mesazhe si: “Faleminderit, Dua”, “Mbretëresha foli”, “Bravo, Dua”, “Jam krenar si shqiptar që po flet” dhe “Bëhu zëri i shqiptarëve”, ku shumë ndjekës e vlerësojnë ndikimin e saj përtej muzikës.
Komentuesit e përshkruajnë Dua Lipën si një figurë frymëzuese, duke theksuar se zëri i saj ka peshë në çështje me interes publik dhe mund të ndikojë në rritjen e ndërgjegjësimit.
Një pjesë e ndjekësve kanë kërkuar që artistja të mbajë një qëndrim edhe më të drejtpërdrejtë mbi zhvillimet në Shqipëri, përfshirë protestat qytetare dhe çështje të tjera që kanë ngjallur debat publik.
Po ashtu, në shumë komente është bërë thirrje që edhe artistë e figura të tjera publike shqiptare të ndjekin shembullin e Dua Lipës, duke përdorur ndikimin e tyre për të sensibilizuar opinionin publik mbi çështje me interes të gjerë shoqëror.
