Një ngjarje tronditëse ka goditur botën e kinemasë amerikane, pasi aktori dhe regjisori i njohur Rob Reiner dhe bashkëshortja e tij, producentja dhe fotografja Michelle Singer Reiner, janë gjetur të vdekur brenda banesës së tyre luksoze në Brentwood, Los Angeles.
Sipas informacioneve paraprake, trupat e pajetë të çiftit janë zbuluar të dielën nga vajza e tyre, Romy Reiner, e cila pasi ka hyrë në banesën familjare në Chadbourne Avenue, ka njoftuar menjëherë autoritetet. Forcat e rendit kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Një zëdhënës i familjes ka konfirmuar ngjarjen përmes një deklarate, duke shprehur dhimbjen e thellë për humbjen tragjike të çiftit dhe duke kërkuar respektimin e privatësisë së familjarëve në këtë moment të vështirë.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se dy trupat janë gjetur brenda banesës pa shenja dhune apo vjedhjeje, ndërsa dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e plagëve të rënda të shkaktuara me thikë. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një version zyrtar, por hetimet po fokusohen në rrethin familjar.
Sipas raportimeve, i dyshuar kryesor është djali i çiftit, 32-vjeçari Nick Reiner, i cili prej vitesh kishte probleme serioze me varësinë nga droga dhe jetonte herë pas here si i pastrehë. Deri më tani, policia nuk ka bërë publike nëse ka një arrestim, por burime hetimore flasin për dyshime të forta ndaj tij.
Rob Reiner, 78 vjeç, ishte një nga figurat më ikonike të industrisë së argëtimit në SHBA, me një karrierë që shtrihej për më shumë se pesë dekada. Ai u bë i famshëm fillimisht si aktor në serialin legjendar “All in the Family”, përpara se të linte gjurmë të thella edhe si regjisor i disa prej filmave më të njohur të kinemasë amerikane.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik dhe në komunitetin artistik, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht këtë tragjedi familjare që ka shokuar Hollywood-in.
