Mbi një vit pas sekuestrimit, rezulton tashmë e provuar se 2 800 ton mbetje të kompanisë Kurum, të kthyer nga Tajlanda në Portin e Durrësit, janë zyrtarisht mbetje të rrezikshme. Ky fakt është konfirmuar nga ekspertimi i kryer në Itali në dhjetor 2025, duke rrëzuar deklaratat publike të kryeministrit Edi Rama, i cili i kishte quajtur akuzat “fantazi” dhe “aludime psikopatologjike”.
Sipas analizave laboratorike, mbetjet i përkasin kategorisë pluhur furre elektrike (EAFD), të klasifikuara si të rrezikshme nga legjislacioni shqiptar dhe ndërkombëtar. Ato përmbajnë përqendrime të larta zinku dhe hekuri, si dhe elementë toksikë si plumbi, bakri, mangani dhe squfuri, të dëmshëm për shëndetin e njeriut dhe mjedisin. Dosja hetimore përshkruan rreziqe serioze të toksicitetit për riprodhimin dhe ekotoksicitet, veçanërisht për ekosistemet ujore.
Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit ka konstatuar përfshirje direkte të strukturave shtetërore në këtë skandal, duke dokumentuar shkelje ligjore dhe shpërdorim detyre nga drejtues të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, punonjës të Doganave dhe të Autoritetit Portual Durrës.
Si e mohoi Rama skandalin
Në kulmin e debatit publik, kryeministri Edi Rama, nga foltorja e Kuvendit, i mohoi kategorikisht akuzat, duke i cilësuar si “telenovelë politike”, “shpifje” dhe “fantazi për të helmuar popullin shqiptar”. Ai deklaroi se nuk ekzistonte asnjë analizë apo provë që mbetjet të ishin të rrezikshme dhe se gjithçka bazohej vetëm në “dyshime”.
Rama u shpreh se eksportet ishin të shoqëruara me certifikata analize nga laboratorë të Bashkimit Europian dhe se mallrat nuk klasifikoheshin si të rrezikshme në katalogët europianë. Ai gjithashtu përjashtoi çdo përgjegjësi të portit të Durrësit, duke theksuar se në asnjë port të botës nuk analizohen ngarkesat “thes më thes”.
Faktet që e rrëzojnë narrativën zyrtare
Ekspertimi italian i dhjetorit 2025 dhe veprimet e prokurorisë kanë provuar të kundërtën: mbetjet janë toksike dhe përbëjnë rrezik real. Kjo ka hedhur poshtë deklaratat e kryeministrit dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si institucionet shtetërore lejuan eksportin dhe më pas menaxhimin e kësaj ngarkese.
Skandali Kurum tashmë nuk konsiderohet më “aludim”, por një çështje e dokumentuar penalisht, që ka nxjerrë në pah dështimin e kontrollit shtetëror dhe përpjekjet për ta relativizuar një rrezik të madh mjedisor dhe shëndetësor.
