Një zhvillim i rëndësishëm ka shënuar procesin gjyqësor për vrasjen e 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila në Itali. Ish-i dashuri i saj, tashmë 17 vjeç, ka pranuar se ishte ai që e shtyu të miturën nga ballkoni i një banese në Piacenza më 25 tetor 2024.
Sipas mediave italiane, i riu, i cili ishte 15 vjeç në kohën e ngjarjes, ndryshoi deklarimet e mëparshme gjatë seancës së Apelit, duke hequr dorë nga pretendimet për pafajësi. Ai dha dëshminë përmes një lidhjeje video nga institucioni i të miturve në Catanzaro, ku po vuan dënimin.
17-vjeçari pranoi përgjegjësinë për krimin dhe kërkoi falje për veprimin e tij, si edhe për faktin që e mohoi ngjarjen për një kohë të gjatë.
Ndërkohë, Gjykata ka kërkuar një raport mbi sjelljen e tij në burgun e të miturve, pasi ndaj tij janë raportuar edhe denoncime për vepra të tjera.
Në shkallën e parë, ai ishte dënuar me 17 vite burg. Pas rrëfimit të tij, procesi në Apel është shtyrë për në 10 shtator.
Avokati i familjes së viktimës, Emilio Malaspina, u shpreh se pranimi i autorësisë mbyll një kapitull të rëndësishëm të çështjes, duke shtuar se pret që Gjykata e Apelit të lërë në fuqi dënimin e dhënë në shkallën e parë.
