Ndarja nga jeta e Nexhat Dacit, reagon Kurti: Do të mbetet figurë me rëndësi në historinë e Kosovës

Data

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, duke shprehur ngushëllime për familjen, kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij.

Në mesazhin e tij, Kurti e cilëson pikëlluese lajmin për vdekjen e Dacit në ditën e parë të vitit 2026, duke theksuar se ai do të mbetet një emër me rëndësi në historinë e shtetndërtimit të Kosovës. Sipas Kurtit, Nexhat Daci ishte një nga figurat kryesore dhe më aktive të skenës politike në Kosovë, veçanërisht në vitet pas çlirimit.

Ai rikujton se Daci ishte kryetari i parë i Kuvendit të Kosovës pas vitit 1999 dhe u zgjodh dy herë në këtë detyrë, në periudhat 2000–2004 dhe 2004–2006. Gjithashtu, ai ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, si anëtar i Kryesisë së Kuvendit.

Kurti vlerëson edhe kontributin akademik të Nexhat Dacit, duke theksuar rolin e tij si profesor universitar, akademik dhe ish-kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ai nënvizon se Daci ka dhënë një kontribut të çmuar edhe në fushën shkencore, si autor i shumë punimeve dhe veprave studimore në fushën e kimisë.

Në përfundim, Kurti shprehet se Nexhat Daci do të kujtohet si një figurë e rëndësishme institucionale dhe politike, që ka lënë gjurmë të thella në historinë e Republikës së Kosovës, duke përcjellë ngushëllime të sinqerta për familjen Daci dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related