Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ironizuar ashpër Partinë Demokratike nga foltorja e Kuvendit, duke e lidhur 35-vjetorin e themelimit të saj me atë që e cilësoi si rezultatin më të dobët elektoral në historinë e PD-së.
Balla deklaroi se zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 ishin të lira dhe të ndershme dhe se opozita, pavarësisht akuzave të shumta, nuk ka paraqitur asnjë provë konkrete për manipulim në institucionet përkatëse. Ai theksoi se raporti i OSBE-ODIHR duhet pranuar në tërësi, së bashku me rekomandimet që do të adresohen në kuadër të Reformës Zgjedhore.
“Së pari, më lejoni t’ju uroj gëzuar 35-vjetorin e Partisë Demokratike. Fatkeqësisht, ky përvjetor ju gjen me rezultatin më të dobët historik, më të keq edhe se në vitin 1997, madje edhe më të dobët se në zgjedhjet që i drejtoi Lulzim Basha,” u shpreh Balla, duke shtuar se humbja e PD-së nuk ishte përgjegjësi e mazhorancës, por pasojë e mungesës së mbështetjes popullore.
Deputeti socialist iu referua edhe votës së Diasporës, duke theksuar se dy në tre emigrantë shqiptarë votuan për Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama. Sipas Ballës, ky rezultat është një mesazh i qartë politik dhe një nxitje për forcimin e shërbimeve konsullore dhe digjitale për shqiptarët jashtë vendit.
“Po mirë, këtu paska ndikuar pushteti sipas jush, po në Diasporë ç’ndodhi? Dy në tre shqiptarë jashtë vendit ia besuan votën PS-së. Kjo na obligon për shërbime më të mira konsullore dhe një lidhje më të fortë me Diasporën,” tha ai.
Balla nënvizoi se zgjedhjet e 11 majit ishin ndër më të hetuarat dhe më të verifikuarat ndonjëherë, si nga institucionet shqiptare ashtu edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Në këtë kontekst, ai deklaroi se një ndryshim i rëndësishëm do të jetë heqja e numëruesve partiakë në zgjedhjet e ardhshme.
“Pas Reformës së Re Zgjedhore, nuk do të ketë më numërues partish. Numëruesit do të përzgjidhen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Edhe këtë dakordësi e keni dhënë vetë,” theksoi Balla.
Ai akuzoi gjithashtu PD-në se nuk ka njohur kurrë humbjet zgjedhore, përjashtuar rastin e vitit 2005, duke renditur një sërë zgjedhjesh që, sipas tij, opozita i ka kontestuar sistematikisht.
“Në 2005 i njohët zgjedhjet, sepse fituat. Në të gjitha të tjerat – 2013, 2015, 2017, 2019, 2021, 2023 dhe tani 2025 – nuk i keni njohur. Edhe 2027 po vjen,” u shpreh ai me ironi.
Në fund, Balla deklaroi se Partia Socialiste është e gatshme të diskutojë dhe adresojë rekomandimet e ODIHR-it në Reformën Zgjedhore, përfshirë votimin elektronik dhe financimin e partive, ndërsa nuk la pa ironizuar edhe lobimin e PD-së në SHBA për çështjen e “non-grata”.
“Të shpenzosh miliona dollarë për të thënë pak ditë para zgjedhjeve se iu hoq non-grata kryetarit të partisë është hall më vete. Gjithsesi, gëzuar përvjetorin dhe të pleqëroni mbarë,” përfundoi Balla.
