Zheni Gjergji, deputetja e PD-së e Qarkut të Elbasanit, ka reaguar këtë fundjavë në rrjetet sociale mbi atë që konsiderohet si skandali i mbetjeve toksike, ndërsa i kërkon kompanisë Kurum të bëjë menjëherë transparencë e t’u thonë qytetarëve të Elbasanit ku prej vitesh ushtrojnë aktivitetin, nëse gjenerojnë lëndë të rrezikshme e toksike e si i trajtojnë ato. Gjergji shkruan se skena tani është bërë e madhe, nga Durrësi në Tajlandë, por s’duhet të harrojmë se Elbasani e banorët e tij, janë më të prekurit, duke qenë se Kurum e ka aktivitetin pikërisht në qytetin tonë.
Ndër të tjera deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji kërkoi transparencë për çështjen e trafikut të mbetjeve, që sipas saj “prek para të gjithëve qytetarët e Elbasanit”. “Jam thellësisht e tronditur nga zbulimi i trafikut ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme ku vendi ynë del i përfshirë dhe do të mbështes nismat e grupit parlamentar të PD për transparencë, sapo të nisë sesioni i ri i Kuvendit”, tha Gjergji.
Po ashtu si e zgjedhur dhe e mandatuar nga qytetarët e Elbasanit ku edhe banon, Gjergji theksoi se “është edhe më shumë e shqetësuar për këtë kanosje të mjedisit, të shëndetit, të jetës”. “Kjo pasi shumë raportime, e të dhëna deri tani, sugjerojnë se gjeneruesi i mbetjeve është ‘Kurum’”, tha Gjergji. Deputetja demokrate nxiti prokurorinë e Durrësit që ka hapur procedimin, të bëjë një hetim të plotë e të thellë të rastit.
