Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për herë të parë pas takimit të zhvilluar nga Ervin Salianji me mbështetës dhe figura të njohura demokrate në Tiranë, duke lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj kujtdo që, sipas tij, vepron kundër linjës zyrtare të partisë.
Gjatë një deklarate për mediat, Berisha mohoi se në aktivitetin e organizuar nga Salianji kanë marrë pjesë demokratë aktivë apo mbështetës të Partisë Demokratike, duke pretenduar se pjesëmarrësit kanë qenë persona që prej kohësh janë larguar nga strukturat e PD-së ose nuk kanë qenë kurrë pjesë e saj.
“Asnjë demokrat nuk ishte aty. Ata që morën pjesë janë prej kohësh të ndarë nga Partia Demokratike ose nuk kanë qenë ndonjëherë pjesë e saj”, deklaroi Berisha.
Kreu demokrat shkoi edhe më tej, duke paralajmëruar se çdo anëtar apo drejtues që vendos të rreshtohet me Salianjin, praktikisht vendos të shkëpusë marrëdhëniet me Partinë Demokratike.
“Cilido që ndjek Salianjin i mbyll hesapet me PD-në. Nuk bëhet fjalë për kritika, por për veprime konkrete kundër Partisë Demokratike”, u shpreh ai.
Deklarata e Berishës vjen në një moment kur brenda opozitës po diskutohen zhvillimet e fundit pas takimit të organizuar nga Salianji, ku morën pjesë figura të njohura të së djathtës. Mes emrave të përmendur në debatet e ditëve të fundit është edhe Hysen Kadia, i cili rezultoi një nga kandidatët më të votuar në Primaret e PD-së në Qarkun Tiranë dhe mori pjesë në aktivitetin e zhvilluar nga Salianji.
Qëndrimi i Berishës shihet si një sinjal i qartë për forcimin e disiplinës së brendshme në parti dhe për mospranimin e strukturave apo grupimeve paralele brenda Partisë Demokratike.
