Tensionet në Vlorë janë përshkallëzuar, pasi tregtarët e tregut industrial kanë mësyrë brenda ambienteve të Bashkisë, në shenjë proteste kundër vendimit për t’i larguar brenda vetëm tre ditësh nga vendi ku sigurojnë bukën e familjeve të tyre.
Prej dy ditësh, qindra tregtarë protestojnë kundër projektit të ndërtimit të tregut të ri, duke denoncuar faktin se Bashkia e Vlorës u ka kërkuar të zhvendosen pa u ofruar asnjë alternativë konkrete për strehimin e përkohshëm të aktivitetit të tyre. Sipas tyre, ky vendim është i nxituar, i padrejtë dhe i çnjerëzishëm.
Gjatë përplasjes brenda bashkisë me nënkryetaren Irena Toshkallari, tregtarët ngritën zërin duke theksuar se kanë kontrata të rregullta me bashkinë dhe nuk mund të trajtohen “në mënyrë kafshërore”.
“Të gjithë kemi kontrata me bashkinë. Për tre ditë të na thoni ikni, pa na dhënë zgjidhje. Mallin e hodhëm në det, po çfarë do çojmë në shtëpi? Nuk kërkojmë luks, kërkojmë të ushqehemi”, u shprehën ata me tone të ashpra.
Protestuesit e cilësojnë këtë veprim si një goditje të drejtpërdrejtë ndaj njerëzve të punës, që mbahen gjallë nga tregtia e përditshme, ndërsa bashkia – sipas tyre – po sillet si një institucion që vendos projekte mbi jetën reale të qytetarëve.
Pas debatit, është arritur një dakordësi e përkohshme: tregtarët do të qëndrojnë në ambientet aktuale deri sa bashkia të gjejë një hapësirë alternative për zhvendosje, ndërkohë që paralelisht do të nisë puna për ndërtimin e tregut të ri. Megjithatë, tregtarët paralajmërojnë se protesta do të vijojë nëse premtimet mbeten vetëm në letër.
