Një 52-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për tri vrasje është arrestuar në Tiranë, pas disa muajsh hetime dhe gjurmim nga Policia e Shtetit. Bëhet fjalë për Besim Sherifin, i kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për një vrasje të trefishtë të ndodhur në Shkup në vitin 2007.
Sipas policisë, Sherifi ishte fshehur prej kohësh në kryeqytet, duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara në emër të një shtetasi nga Kosova. Ai u lokalizua dhe u arrestua në zonën e Liqenit të Thatë, në kuadër të fazës së 80-të të operacionit policor të koduar “Operacionalja”.
Gjykata e Shkupit i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” që në vitin 2007 për veprën penale “vrasje”, për të cilën parashikohet dënim maksimal deri në burgim të përjetshëm. Sherifi dyshohet se më 5 tetor 2007, në fshatin Kopanicë të Shkupit, ka vrarë me armë zjarri tre persona.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, policia i gjeti dhe sekuestroi pasaportë, kartë identiteti dhe leje drejtimi kosovare të falsifikuara. Për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, materialet i janë referuar prokurorisë në Tiranë.
Ndërkohë, Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Shkupin po vijon procedurat për ekstradimin e 52-vjeçarit drejt Maqedonisë së Veriut, ku ai do të përballet me drejtësinë për akuzën e vrasjes së trefishtë.
