Zbardhen detaje nga mbledhja me dyer të mbyllura e Asamblesë së PS, ja si do të ndahen detyrat për tre drejtuesit…

Data

Në ambientet e Katedrales Ortodokse u mblodh këtë të shtunë Asambleja e Partisë Socialiste për Tiranën. Në takimin që zgjati për 1 orë e 40 minuta i pranishëm ishte edhe kryesocialisti Edi Rama. Tashmë prej ditësh drejtuesit politikë të PS në qarqe kanë nisur prezantimin me strukturat e partisë që pas zyrtarizimit të listës së drejtuesve politikë. Kryesocialisti Edi Rama ka ndarë detyra dhe u ka dhënë porosi të tijve. Në këtë takim me dyer të mbyllura është kërkuar angazhim maksimal nga anëtarët e Asamblesë, kryesisht të fokusuar në përgatitjet për zgjedhjet. Gjithashtu çdolloj koordinimi që do të kenë qoftë anëtarët e Asamblesë apo strukturat e tjera të PS-së, do e bashkëndajnë me drejtuesit e qarqeve.

Detyrat
Drejtuesit e qarkut të Tiranës i kanë ndarë detyrat e tyre, si më poshtë:
1.Elisa Spiropali do të ketë komunikim me Bashkitë e Tiranës si Vora, Kamza, Rrogozhina dhe Kavaja, për sa i përket përgatitjes së fushatës për zgjedhjet e ardhshme.
2.Ogerta Manastirliu do të ketë në përgjegjësi koordinimin me strukturat e PS-së në Tiranë.
3.Erion Veliaj do të jetë përgjegjësi për sa i përket fushatës dhe përgatitjes së skuadrave së PS-së në Tiranë.

Mësohet se nr.1 i qeverisë u ka kërkuar anëtarëve të Asamblesë, sidomos të rinjve, një angazhim më të madh në terren, koordinim me strukturat, përdorimin më shumë të rrjeteve sociale, sidomos TikTok-ut, si dhe afrimin e prurjeve të reja në PS. Ndërkohë kryeministri Edi Rama i mblodhi të tijtë në Elbasan të premten që shkoi, ku grupi parlamentar u porosit të fuqizojë debatin publik e transparencën, më shumë aktivitet në rrjetet sociale, ndërsa objektiv shihet afrimi i elektoratit gri i cili është konsideruar më i rritur. Deputetëve u kërkohet të jenë aktivë dhe të eksperimentojnë platformat më të suksesshme të momentit, përfshirë edhe Tik-Tokun. Fokus të madh është kërkuar t’i kushtohet votës së diasporës.

Reagimet
Nga ana tjetër, kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ndau dje në rrjetet sociale pamje nga Asambleja e Partisë Socialiste në Tiranë, e zhvilluar mbrëmjen e së shtunës. Kreu i Partisë Socialiste, bashkangjitur videos, shkruan: “Organizim, Angazhim, Energji fitoreje.” Ndërkaq edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, njëherazi drejtuese politike e PS-së në Tiranë, Ogerta Manastirliu, ndau në rrjetet sociale detaje nga takimi, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i bashkisë dhe bashkëdrejtuesi politik i PS-së në Tiranë, Erion Veliaj. Manastirliu thekson se kjo mbledhje kishte si fokus organizimin e punës për fushatën zgjedhore të vitit 2025. Ajo theksoi rëndësinë e fazës në të cilën ndodhet partia, duke kërkuar përkushtimin maksimal të të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të PS-së, si dhe të qytetarëve që besojnë në vizionin e Shqipërisë Europiane 2030.

“Me Kryetarin dhe Kryeministrin Edi Rama, së bashku me Erionin, në mbledhjen e zgjeruar të Asamblesë së Partisë Socialiste të Tiranës, për organizimin e punës për fushatën zgjedhore të vitit 2025. Jemi futur në një fazë të rëndësishme, që kërkon përkushtimin dhe angazhimin maksimal të secilit prej nesh, të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të PS-së Tiranë, si dhe të qytetarëve që besojnë në rrugën që ne kemi zgjedhur, për të çuar përpara vendin drejt zhvillimit dhe mirëqenies për të gjithë, me vizionin tonë të Shqipërisë Europiane 2030”, shkruan Manastirliu.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related