Një ngjarje e rëndë familjare ka tronditur Durrësin, ku një 56-vjeçar ka plagosur me thikë vajzën e tij 24-vjeçare pranë ambientit të punës së saj. I plagosur mbeti edhe një kalimtar i rastit, i cili ndërhyri për të ndaluar sulmin dhe për të shpëtuar të renë.
Autori i dyshuar, Mikel Ndoj, ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve, duke pranuar aktin e rëndë dhe duke deklaruar se ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike dhe nën efektin e alkoolit. Sipas tij, konflikti shpërtheu pasi vajza refuzonte çdo kontakt me të dhe kundërshtonte ribashkimin e familjes.
“Shkova te vendi i punës sepse nuk po më përgjigjej në telefon. Doja të flisja me të, por më tha se nuk donte të kishte më asnjë lidhje me mua. Më shtyu për t’u larguar dhe në atë moment mu errësuan sytë. Nuk mbaj mend çfarë ndodhi më pas,” ka deklaruar ai.
56-vjeçari ka pranuar gjithashtu se pas ngjarjes u largua dhe u fsheh pranë repartit të zjarrfikëses, ku më pas kuptoi rëndësinë e asaj që kishte ndodhur. Ai shprehu pendesë të thellë dhe kërkoi falje publike si ndaj vajzës së tij, ashtu edhe ndaj qytetarit që u plagos duke ndërhyrë për ta ndihmuar.
Nga hetimet rezulton se prindërit e vajzës janë divorcuar rreth gjashtë vite më parë për shkak të dhunës në familje. Pas ndarjes, 56-vjeçari kishte emigruar në Itali, ku më herët ishte dënuar me dy vite burg për një tjetër rast dhune, i palidhur me ish-bashkëshorten.
E reja dhe qytetari i plagosur ndodhen nën kujdesin e mjekëve, ndërsa policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përgjegjësive penale të autorit.
