“Morëm përgjegjësinë dhe u dorëhoqëm” – Berisha: PD u tregua e ndershme me qytetarët, ndaj u ringrit si feniks

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një fjalë me tone të forta politike dhe historike, ku riktheu rrugëtimin e PD-së nga viti 1991 e deri më sot, duke e përshkruar si një histori rezistence, përgjegjësie dhe ringritjeje përballë përpjekjeve për zhdukje politike.

Duke u ndalur te viti 1997 dhe kriza e skemave piramidale, Berisha tha se Partia Demokratike mori përgjegjësinë politike dhe u dorëhoq, ndryshe nga kundërshtarët që, sipas tij, u përpoqën ta shfrytëzonin tragjedinë për përfitim politik dhe për ta fshirë PD-në nga historia.

Ai theksoi se qeveria e asaj kohe nuk kishte prekur asnjë qindarkë nga paratë e qytetarëve dhe se rikthimi i humbjeve nga buxheti i shtetit do të kishte qenë i pandershëm dhe i pamoralshëm, pasi do të rëndonte mbi taksat e gjithë shqiptarëve.

“U treguam të ndershëm me qytetarët. Nuk premtuam atë që nuk mund të bënim. Pikërisht kjo ndershmëri na mbajti gjallë dhe na lejoi të ringrihemi,” u shpreh Berisha, duke e krahasuar PD-në me një feniks që ringrihet nga hiri.

Ai kujtoi se, pavarësisht akuzave ekstreme, sulmeve politike dhe përpjekjeve për kriminalizim, Partia Demokratike mbijetoi dhe u rikthye fuqishëm, falë mbështetjes së qytetarëve dhe mbrojtjes së votës.

Sipas tij, demokratët janë sot më të bashkuar dhe të vendosur se kurrë për të larguar nga pushteti një regjim që, siç tha ai, erdhi me dhunë dhe mbahet me manipulim, por që do të largohet vetëm me votë.

“Ne nuk marrim pushtet me dhunë. Ata që erdhën me dhunë, do t’i largojmë me votë. Kjo është forca jonë dhe kjo është arsyeja pse Partia Demokratike është ende këtu,” përfundoi Berisha.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related