Ish-nënkryetari i Kuvendit dhe përfaqësuesi i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka lëshuar akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si një “kapo-mafia të ulur në karrigen e kryeministrit”, që sipas tij ka dështuar plotësisht si në politikën e brendshme ashtu edhe në diplomacinë e jashtme.
Në një intervistë televizive, Vasili deklaroi se dështimi i Ministrisë së Jashtme nuk është i rastësishëm, por pasojë direkte e mënyrës se si Rama ka qeverisur vendin për 13 vite. Sipas tij, kryeministrit nuk i ka interesuar kurrë ndërtimi i shtetit mbi Kushtetutë dhe ligje, por ngritja e një sistemi pushteti të bazuar mbi kontrollin, frikën dhe korrupsionin.
Duke komentuar edhe idenë për uljen e numrit të deputetëve në Kuvend, Vasili u shpreh se kjo është një përpjekje për të dobësuar opozitën parlamentare, sepse Rama, sipas tij, ka frikë të përballet me denoncimet që bëhen me fakte për aferat korruptive të qeverisë.
“Çdo fjalë e opozitës është denoncim. Ai nuk do parlament, sepse nuk përballet dot. Nuk është dëgjuar as në diktaturë mbyllja e gojës së opozitës,” u shpreh Vasili.
Ai renditi një sërë skandalesh që, sipas tij, mbajnë firmën direkte të kryeministrit, duke përmendur inceneratorët që nuk ekzistojnë, aferat ndërkombëtare, Portin e Durrësit, AKSHI-n dhe projekte të tjera të cilat i cilësoi si shembuj flagrantë të korrupsionit shtetëror.
Vasili theksoi se pas 13 vitesh në pushtet, Rama nuk ka më asnjë justifikim politik dhe se “i kanë vdekur të gjitha mundësitë politike”, duke sunduar vendin si një kapo-mafia që ndërron njerëz e ministra për të mbuluar dështimet dhe vjedhjet.
“Nuk kemi të bëjmë me një kryeministër normal, por me një njeri që ka shndërruar qeverinë në lokomotivë korrupsioni dhe e sheh opozitën si armikun kryesor, sepse nuk bashkëjeton dot as me të vërtetën,” përfundoi Vasili, duke e quajtur praninë e Ramës në pushtet “një tragjedi kombëtare”.
