Shqipëria pritet të hyjë në një fazë të re të monitorimit dhe kontrollit të investimeve të huaja, pas sinjaleve të qarta të ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat po nxisin ngritjen e një mekanizmi të posaçëm ligjor për filtrimin e investitorëve që mund të paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare. Ky mekanizëm, i cili është diskutuar së fundi mes Ambasadës amerikane dhe qeverisë shqiptare, vjen në një moment kur projekti “Smart City” ka shtuar shqetësimet mbi përfshirjen e kompanive të huaja në sistemet e survejimit dhe të dhënave sensitive të vendit.
Alarmi i SHBA
Në përgjigjen zyrtare për mediat, Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka sqaruar dje se një mekanizëm i tillë synon rritjen e përgjegjshmërisë dhe transparencës, duke garantuar që investimet e huaja të mos përbëjnë rrezik për sektorët kritikë të vendit. “Një mekanizëm për shqyrtimin e investimeve është një mjet ligjor që u lejon qeverive të shqyrtojnë investimet e huaja për t’u siguruar që ato nuk paraqesin rreziqe për sigurinë kombëtare. Një mekanizëm i tillë do të mbronte sektorët kritikë të Shqipërisë nga aktorë keqdashës dhe do të mbështeste një mjedis investimesh të hapur dhe transparent që është i drejtë dhe i parashikueshëm për kompanitë amerikane dhe të tjerë, duke forcuar rolin e Shqipërisë si një partner i besuar në ekonominë globale”, thekson ambasada.
Gjithashtu, një zyrtar amerikan theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në mbështetjen e partneriteteve të drejta dhe teknologjive të sigurta. “Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur prosperitetin ekonomik dhe partneritete të drejta për amerikanët, përfshirë bizneset amerikane në Shqipëri, si dhe për të forcuar sigurinë e teknologjive kritike.” Këto deklarata vijnë në vazhdën e takimit pak ditë më parë mes të Ngarkuarës me Punë Nancy Vanhorn dhe ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, ku palët diskutuan mbi ofrimin e ekspertizës amerikane për koncesionet dhe mbi nevojën për një mekanizëm më të fortë kontrolli të investimeve të huaja.
