“Djersa e shqiptarëve u kthye në vila e hotele” – Berisha nga Lapraka: Një regjim grabitqar si asnjë tjetër në histori

Data

Gjatë fjalës së mbajtur në Foltoren me mbështetësit në Laprakë, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha hodhi akuza të forta ndaj qeverisë, duke e cilësuar pushtetin e fundit si një regjim grabitqar dhe shkatërrues për kombin shqiptar.

Berisha deklaroi se në 13 vitet e fundit, mundi dhe djersa e qytetarëve shqiptarë janë shndërruar në vila luksoze, hotele dhe pasuri marramendëse për qeveritarët, ndërsa vendi është përballur me shpopullim masiv dhe varfërim të thellë.

Ai theksoi se asnjë regjim tjetër në historinë kombëtare nuk ka shkaktuar një tkurrje kaq të madhe të popullsisë, duke deklaruar se mbi 1.1 milion shqiptarë janë larguar nga vendi si pasojë e politikave qeverisëse, vetëm drejt zonës Shengen, pa llogaritur emigrimin drejt SHBA-së, Kanadasë dhe vendeve të tjera.

Sipas Berishës, nëse në diktaturë pasuritë e shqiptarëve u shndërruan në bunkerë dhe tunele, sot ato janë kthyer në llogari bankare miliona eurosh, vila dhe resorte luksoze, duke përfaqësuar një plaçkitje të paprecedentë të pasurisë publike.

Ai u shpreh se korrupsioni i këtyre viteve ka tejkaluar çdo përmasë historike, duke theksuar se një grusht zyrtarësh kanë përfituar më shumë sesa e gjithë elita drejtuese e diktaturës përgjatë dekadave.

Në fjalën e tij, Berisha denoncoi edhe degradimin e vlerave demokratike, duke akuzuar mediat e kapura dhe propagandën për mashtrimin e përditshëm të qytetarëve dhe fshehjen e realitetit.

“Ky është një regjim që ka shkatërruar shpresën, ka dëbuar shqiptarët dhe ka vjedhur pa mëshirë pasurinë e tyre. Përballja me të është detyrim historik,” përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related