Elektricisti humb jetën gjatë punës në Pogradec, vijojnë hetimet për ngjarjen

Data

Një elektricist humbi jetën këtë të diel gjatë punës në fshatin Zërvaskë, në Bashkinë Pogradec.

Sipas informacioneve paraprake, 60-vjeçari Agim Beqiri ishte angazhuar për riparimin e një defekti në rrjetin e ndriçimit rrugor, i konstatuar një ditë më parë. Dyshohet se gjatë ndërhyrjes ai ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, duke humbur jetën në vend.

Sipas burimeve paraprake, në shtyllën ku po kryheshin punimet ndodheshin dy linja elektrike. Dyshohet se njëra prej tyre kishte mbetur nën tension në momentin e ndërhyrjes. Këto rrethana mbeten pjesë e hetimit dhe nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

Shërbimet përkatëse ndërhynë për të zbritur trupin e viktimës nga shtylla elektrike.

Agim Beqiri ishte prej vitesh i punësuar si elektricist në Bashkinë e Pogradecit, ku merrej me mirëmbajtjen e rrjetit të ndriçimit publik në zonat rurale.

Banorë të zonës e përshkruan atë si një punonjës të përkushtuar. Njëri prej tyre tha se 60-vjeçari kishte konstatuar defektin një ditë më parë dhe ishte rikthyer për ta riparuar edhe pse ishte ditë pushimi.

Sqarim: Hetimet për ngjarjen janë në vijim. Rrethanat e plota të aksidentit do të përcaktohen nga organet kompetente pas përfundimit të veprimeve hetimore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related