Reshjet e shiut gjatë orëve të fundit kanë sjellë probleme të dukshme në Unazën e Madhe në Tiranë, në zonën e Freskut, ku rruga është përmbytur dhe qarkullimi është vështirësuar ndjeshëm.
Sipas pamjeve të shpërndara, uji ka mbuluar një pjesë të konsiderueshme të segmentit, duke e bërë kalimin të vështirë për automjetet dhe duke rritur rrezikun për bllokime dhe incidente. Situata është krijuar pas vetëm pak orësh reshje, çka ka nxitur reagime dhe kritika mbi cilësinë e punimeve dhe funksionimin e sistemit të kullimit.
Projekti i Unazës së Madhe është konsideruar një nga investimet më të kushtueshme infrastrukturore, me pretendimin se do të përmirësonte ndjeshëm qarkullimin dhe do të shmangte problematika të tilla si grumbullimi i ujit në rrugë. Megjithatë, përmbytja e segmentit në Fresk ka rikthyer dyshimet mbi standardet e realizimit dhe menaxhimin e këtij investimi.
Në këtë kontekst, kujtohet se çështja e këtij projekti është përfshirë edhe në hetime, ku përmenden dyshime për shkelje në procedurat e prokurimit dhe korrupsion. Ndërkohë, përkeqësimi i motit dhe reshjet në vijim mund ta rëndojnë më tej situatën, nëse problematika e kullimit vazhdon.
Qytetarëve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes të shtuar në këtë segment, të lëvizin me shpejtësi të ulët dhe të shmangin zonën nëse kanë mundësi të përdorin rrugë alternative.
