Meta paralajmëron listë me 100 dëshmitarë në procesin ndaj tij: Mes tyre diplomatë dhe zyrtarë amerikanë

Data

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas kërkesës së SPAK për thirrjen e më shumë se 30 dëshmitarëve në procesin gjyqësor ndaj tij, duke deklaruar se edhe mbrojtja do të paraqesë një listë të gjerë dëshmitarësh.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta njoftoi se avokatët e tij do të kërkojnë dëshminë e rreth 100 personave, ku sipas tij afro 40 do të jenë shtetas të huaj, përfshirë diplomatë, zyrtarë dhe qytetarë amerikanë.

“Koha e deduksioneve mbaroi. Jemi gati për të bërë hetimet që nuk ndodhën për tetë vjet. Mirëpresim dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria e Posaçme dhe do të kërkojmë edhe ne rreth 100 dëshmitarë të tjerë”, shkroi Meta.

Sipas tij, në listën e propozuar nga mbrojtja do të përfshihen përfaqësues të kompanive lobuese që kanë pasur kontrata me ish-Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), si dhe drejtues dhe aksionerë të kompanisë DIA në Uashington.

Meta deklaroi gjithashtu se do të kërkohet dëshmia e drejtuesve të McKeon Group dhe e avokatit greko-amerikan Fidetzis, të cilët sipas tij lidhen me çështjet që janë pjesë e dosjes hetimore.

Në reagimin e tij, Meta përmendi edhe ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal, duke deklaruar se mbrojtja synon t’i drejtojë pyetje përmes letërporosive ndërkombëtare, për shkak të pamundësisë së paraqitjes së tij personale në gjykatë.

Reagimi i Metës vjen pasi SPAK paraqiti në Gjykatën e Posaçme kërkesën për dëgjimin e një sërë dëshmitarësh lidhur me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe çështjet që lidhen me kontratat e lobimit në Shtetet e Bashkuara.

Sipas materialeve të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme, dëshmitarët e propozuar pritet të japin informacion mbi kontratat e lobimit, pagesat e kryera dhe marrëdhëniet me kompani të ndryshme që përfshihen në dosjen hetimore.

Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024, pas arrestimit me urdhër të SPAK. Procesi gjyqësor ndaj tij vijon në institucionet e posaçme të drejtësisë, ndërsa ai ka mohuar akuzat dhe i ka cilësuar ato si të motivuara politikisht.

Si në çdo proces penal, vlejnë parimet e prezumimit të pafajësisë dhe përgjegjësia penale përcaktohet vetëm me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related