Detaje tronditëse kanë dalë nga dëshmia e sotme e ish-Presidentit Ilir Meta në SPAK për ngjarjet e përgjakshme të 21 Janarit 2011. Për herë të parë, përmes avokatit të tij Kujtim Cakrani, zbulohet se para protestës kishte sinjale të forta ndërkombëtare për skenar dhune dhe vrasjesh.
🔎 Meta, i cili ndodhet në paraburgim prej tetorit 2024, u pyet nga oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, në cilësinë e personit që kishte dijeni direkte, pasi në atë kohë ishte zv/kryeministër i dorëhequr në qeverinë Berisha.
Sipas avokatit Cakrani, Meta ka deklaruar se:
“Në mënyrë konfidenciale, nga shërbime të huaja në Shqipëri, ishte informuar se protesta e 21 janarit nuk do të ishte paqësore, por e dhunshme dhe se ekzistonte rreziku real i vrasjeve”.
Paralajmërimi, sipas tij, nuk ishte individual, por:
•iu ishte përcjellë edhe kryeministrit të kohës
•si dhe Presidentit të Republikës
Kjo dëshmi ngre dyshime serioze se ngjarjet e 21 janarit nuk ishin thjesht përplasje spontane, por pjesë e një skenari të parashikuar dhe të njohur në nivelet më të larta të shtetit.
Meta ka qenë vetë ai që kërkoi të dëshmonte në SPAK, duke deklaruar zyrtarisht se:
“Ka informacion të vlefshëm që nuk është administruar më parë dhe që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes”.
⚖️ Kujtojmë se për dosjen “21 Janari” janë pyetur më herët:
•Sali Berisha
•Lulzim Basha
•Bamir Topi
Më 21 janar 2011, gjatë protestës së opozitës së asaj kohe, 4 qytetarë u vranë nga plumbat e Gardës së Republikës, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën, në një nga ngjarjet më të rënda politike të pas ’90-ës.
Dëshmia e Metës pritet të rihapë fort debatin mbi përgjegjësitë politike dhe institucionale, ndërsa SPAK vijon hetimet për një nga dosjet më të ndjeshme të historisë moderne shqiptare.
