Ndërtim pa leje në mes të Tiranës: IMT vendos gjobë dhe urdhëron prishjen, banorja denoncon përmbytjen e banesës

Data

Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë së Tiranës ka konstatuar një rast ndërtimi pa leje në një pallat banimi në Njësinë Administrative nr. 9, në rrugën “Bardhok Biba”, duke vendosur masa administrative dhe urdhër për prishjen e ndërhyrjeve të paligjshme.

Sipas dokumentacionit zyrtar, gjatë kontrollit janë evidentuar ndërhyrje të kryera pa leje ndërtimi dhe në kundërshtim me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Këto ndërhyrje përfshijnë vendosjen e dyerve prej alumini me xham, ndërtimin e mureve me tulla dhe xham, si dhe struktura të tjera arkitektonike që kanë ndryshuar objektin ekzistues të banimit.

Në vijim, IMT ka marrë dy vendime administrative: një gjobë në vlerën 129.348 lekë dhe një vendim të posaçëm për prishjen e ndërtimit të konsideruar të paligjshëm. Subjekti ndaj të cilit janë marrë këto masa ka ankimuar vendimet në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, duke kërkuar pezullimin e ekzekutimit të tyre.

Gjykata ka vendosur të mos pranojë kërkesën për masë sigurie, duke argumentuar se nuk është provuar ekzistenca e një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm, si dhe se interesat publike nuk cenohen nga zbatimi i vendimeve administrative.

Ndërkohë, në një shkresë zyrtare drejtuar strukturave të policisë, IMT ka sqaruar se rasti është trajtuar më herët dhe se janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore të parashikuara nga ligji për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit. Pas vendimit të gjykatës, inspektorati ka vijuar hapat për ekzekutimin e gjobës së vendosur.

Paralelisht me këto procedura, një banore e pallatit ka ngritur shqetësime serioze lidhur me pasojat e ndërhyrjeve të paligjshme në katin e sipërm. Sipas denoncimit të saj, këto ndërhyrje kanë shkaktuar rrjedhje të vazhdueshme uji, duke përmbytur tavanin e guzhinës dhe banjos, çka ka sjellë dëme materiale dhe e ka bërë banesën të papërshtatshme për jetesë.

Banorja pretendon se persona që ndodhen në katin e mësipërm nuk kanë lejuar verifikimin e ambientit, ku dyshohet se janë depozituar sasi të mëdha dheu dhe janë ngritur mure pa leje. Ajo shprehet se autoritetet i kanë bërë me dije se ndërhyrja me forcë për kontroll të plotë mund të kryhet vetëm me urdhër të Prokurorisë.

Çështja mbetet ende në zhvillim, ndërsa banorët kërkojnë zgjidhje urgjente për dëmet e shkaktuara dhe zbatimin e plotë të ligjit për ndërtimet pa leje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related