Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e ndalimit të daljes jashtë vendit për zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke rrëzuar ankimin e saj për lehtësimin e masës së sigurisë.
Balluku është e pandehur për shkelje të barazisë në tendera në aferën e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, ndërsa po hetohet edhe për 7 procedura të tjera tenderuese që lidhen me Unazën e Madhe të Tiranës, projekte me vlerë qindra milionë euro.
Apeli nuk ka shqyrtuar masën e pezullimit nga detyra, pasi kjo çështje është aktualisht në pritje të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, e cila do të mblidhet më 22 janar. Për këtë arsye, shqyrtimi i këtij elementi është pezulluar.
Ndërkohë, gjykata ka vendosur të konfirmojë masat e arrestit shtëpiak për dy vartësit e Ballukut:
- Gentian Gjyli, kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar
- Erald Elezi, drejtori i KESH
Të dy janë të përfshirë në të njëjtën dosje penale dhe dyshohen për rol aktiv në procedurat e kontestuara të prokurimit publik.
Vendimi i Apelit vjen vetëm pak ditë pas përplasjes institucionale mes SPAK, Gjykatës së Posaçme dhe Kryeministrisë, e cila përfundoi në Gjykatën Kushtetuese. Me një vendim 5 me 3, Kushtetuesja i hapi rrugë rikthimit të Ballukut në detyrat e saj qeveritare, duke pezulluar vendimin për largimin nga posti.
Pas këtij zhvillimi, SPAK i është drejtuar Kuvendit me kërkesë për heqjen e imunitetit parlamentar të Ballukut, një hap që mund të çojë drejt arrestimit të saj, nëse miratohet nga shumica parlamentare.
Apeli i GJKKO ka sqaruar se, për sa kohë vendimi i Gjykatës Kushtetuese është në fuqi, çdo vendim tjetër gjyqësor mbi pezullimin nga detyra nuk mund të merret, pasi vendimet e Kushtetueses kanë fuqi detyruese për të gjitha shkallët e gjyqësorit.
Hetimet ndaj Ballukut konsiderohen ndër më të rëndësishmet e SPAK ndaj një zyrtareje të nivelit të lartë, ndërsa zhvillimet e ditëve në vijim pritet të kenë pasoja të forta politike dhe institucionale.
