“Menaxhim i dështuar i Ballukut”/ Bllokimi i rrugës në Librazhd, deputetja e PD: Miliona euro beton, zero siguri

Data

Deputetja e Partisë Demokratike për qarkun e Korçës, Ledina Alolli, ka reaguar ashpër pas bllokimit të aksit rrugor Librazhd–Qafë Thanë, duke e cilësuar situatën si pasojë direkte e menaxhimit të dështuar të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Përmes një reagimi publik, ku ka publikuar edhe pamje nga vendngjarja, Alolli shprehet se një nga arteriet më jetike të Juglindjes së vendit është paralizuar, duke lënë qytetarë të izoluar dhe duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.

Sipas deputetes demokrate, bllokimi i rrugës është pasojë e papërgjegjshmërisë institucionale dhe korrupsionit, ndërsa investimet e shpallura si “miliarda në infrastrukturë” nuk kanë sjellë as siguri dhe as standarde minimale për qarkullimin rrugor.

“Një arterie jetike e Juglindjes e paralizuar nga papërgjegjshmëria dhe korrupsioni. Qytetarë të izoluar, jetë në rrezik. Ky është bilanci i ‘rrugëve’ të Edi Ramës dhe menaxhimit të dështuar të Belinda Ballukut. Miliona euro beton, zero siguri, zero përgjegjësi”, shprehet Alolli në reagimin e saj.

Reagimi vjen në një moment kur rrëshqitjet e dherave dhe gurëve kanë bllokuar plotësisht aksin, duke nxjerrë në pah problematikat e përsëritura të sigurisë rrugore dhe mungesën e masave parandaluese në një segment të rëndësishëm kombëtar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related