Një 37-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia Kufitare, pasi tentoi të kontrabandonte mallra duke i fshehur në kamionin që drejtonte, gjatë kontrolleve në Portin e Durrësit.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ka rënë shtetasi J. T., 37 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi u krye si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje-dalje, të bazuara në informacione policore dhe analizë risku.
Gjatë kontrollit të kamionit, shërbimet e Policisë Kufitare zbuluan të fshehura 360 shishe vere, si dhe pjesë të ndryshme këmbimi automjetesh të përdorura, të gjitha pa faturë origjine dhe pa deklaratë importi.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 37-vjeçari ka tentuar t’i shmanget kontrollit doganor dhe kufitar, duke mos deklaruar sasinë e mallrave pranë autoriteteve përkatëse.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shishet e verës, pjesët e këmbimit, aparati celular i të arrestuarit, si dhe kamioni me të cilin po transportoheshin mallrat e padeklaruara.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore.
