Italia pritet t’i thotë “jo” ftesës së presidentit amerikan Donald Trump për t’u bërë pjesë e të ashtuquajturit Bord i Paqes. Sipas mediave italiane, kryeministrja Giorgia Meloni nuk mund të nënshkruajë pranimin e Italisë në këtë strukturë për shkak të kufizimeve kushtetuese.
Sipas raportimeve, pengesa kryesore lidhet me nenin 11 të Kushtetutës italiane, i cili lejon pjesëmarrjen e Italisë në organizata ndërkombëtare që kanë si qëllim ruajtjen e paqes, por vetëm në kushte të barabarta me shtetet e tjera. Ky parim, sipas interpretimit të medias, nuk përputhet me natyrën dhe funksionimin e Bordit të Paqes.
Burime mediatike theksojnë se ky forum nuk garanton barazi mes vendeve anëtare, çka e bën të papajtueshme pjesëmarrjen e Italisë me kuadrin kushtetues. Për këtë arsye, pavarësisht ftesës dhe interesit diplomatik, Roma zyrtare pritet të refuzojë përfshirjen.
Megjithëse kryeministrja Meloni pritet të marrë pjesë në takimin e Davosit, ajo është gjithnjë e më e vetëdijshme se nuk mund të firmosë në emër të Italisë për anëtarësimin në këtë bord, përtej aspektit financiar apo tarifës së anëtarësimit që kërkohet.
Qëndrimi i Italisë pritet të argumentohet mbi baza kushtetuese, duke shmangur një përfshirje që mund të krijojë precedent politik apo juridik në raport me angazhimet ndërkombëtare të vendit.
