Debate të forta janë zhvilluar në Komisionin e Ligjeve gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për kontrollin e lëndëve narkotike”, ku deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar qeverinë se po krijon hapësira ligjore për legalizimin e importit të drogës.
Blushi e cilësoi nismën si një përpjekje për të ligjëruar trafikun e lëndëve narkotike, duke deklaruar se, sipas tij, “narkoshteti po përpiqet të kontrollojë me ligj atë që vetë e ka lejuar të lulëzojë”. Ai hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj qeverisë, duke kërkuar transparencë të plotë mbi zbatimin e ligjit dhe subjektet që do të përfitojnë nga ai.
Deputeti kërkoi të dihet se cilat kompani do të licencohen për importin dhe eksportin e lëndëve narkotike dhe kush do të përfitojë realisht nga kjo nismë. “Na thoni emrat e kompanive. Shqipëria është damkosur si narkoshtet dhe ju sillni ligje pa transparencë”, deklaroi Blushi gjatë debatit.
Ai theksoi se para miratimit të një ligji të tillë duhet të ketë përgjegjësi politike për, siç u shpreh, “kanabizimin e vendit”, duke shtuar se institucionet nuk mund të pretendojnë luftë kundër drogës kur, sipas tij, shteti është vënë në funksion të trafikut.
Në fund të fjalës së tij, Blushi përmendi edhe qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për forcimin e luftës kundër karteleve të drogës, duke akuzuar qeverinë se po ecën në drejtim të kundërt, duke e përmbytur vendin me narkotikë përmes nismave ligjore të dyshimta.
