Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në podkastin e tij “Flasim”, duke ngritur pikëpyetje mbi vizitën e këtij të fundit në Shtetet e Bashkuara.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Berisha i kërkon Ramës të sqarojë arsyet pse, sipas tij, i janë refuzuar takimet zyrtare në Uashington. Ai pretendon se kryeministrit nuk iu pranua asnjë takim institucional, përveç një takimi me një organizatë joqeveritare, i zhvilluar me dyer të mbyllura.
Berisha thekson se Rama nuk ndodhej në SHBA për një udhëtim privat, por si përfaqësues i Shqipërisë në një forum ndërkombëtar, duke shtuar se qytetarët meritojnë transparencë mbi agjendën dhe rezultatet e vizitës.
Sipas liderit demokrat, mungesa e një sqarimi publik nga ana e kryeministrit është domethënëse. “Heshtja jote flet më shumë se çdo gjë tjetër”, shprehet Berisha në reagimin e tij.
Deri më tani, nuk ka pasur një përgjigje zyrtare nga kryeministri Rama lidhur me pretendimet e ngritura nga opozita.
