Kryeministri Edi Rama, i terrorizuar nga një fund i njëjtë si vartësja e tij deklaroi ditën e djeshme se ka vendosur të apelojë vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku, duke e quajtur atë një ‘akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e Pushtetit Ekzekutiv”.
Me të marrë pyetjen për rastin Balluku kryeministri e përshkroi Shqipërinë si një vend që gjendet sot pa një kryeministër dhe pa një ministre infrastrukture, si pasojë e vendimeve arbitrare të drejtësisë që janë atavizma të së shkuarës. “Për periudhën që flasim qeveria nuk do të ketë zv/kryeministër dhe ministër të infrastrukturës së energjisë”, shtoi ai. Por megjithëse la të kuptohet se është i pakënaqur nga veprimi i SPAK dhe GJKKO ndaj Ballukut, ai garantoi në krah të komisioneres Kos se nuk do të ketë një betejë kundër këtij arbitrariteti të drejtësisë.
Rama e anashkaloi aspektin moral të një të pandehure që vazhdon të qëndrojë në detyrë duke thënë se “nuk ka qëndrim uniform në BE për këtë problem”, por ai e vuri theksin mbi aspektin ligjor dhe atë të ekuilibrit mes pushteteve duke nënvizuar se ‘më e rëndësishme është që nuk bën vaki në BE që njerëzit të pezullohen nga funksionet duke qenë të zgjedhur. Kjo është “unike në historinë e Evropës” këmbënguli ai. Lidhur me fatin e Ballukut kryeministri tha se qeveria e mbetur cung do të ankimohet në Gjykatën kushtetuese për këtë ndërhyrje të pushtetit gjyqësor mbi pushtetin ekzekutiv.
“Gjykata Kushtetuese do duhet të na thotë se cili është qëndrim i asaj bazuar mbi Kushtetutë. Nuk jemi në kushtet që duke ndërhyrë me forcë në pavarësinë e ekzekutivit, mund të diktohet ndonjë lëvizje e qeverisë”, tha ai.
Sulmet ndaj drejtësisë
Duke e konsideruar një “rast unikal” në historinë e Europës” pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, ai shtoi: “S’ka ndodhur kurrë një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen kokë më kohë dhe të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie, por nëse një prokuror special dhe një gjykatë special i shkallës së parë të speciales këtu në Shqipëri kanë vendosur të pezullojnë një ministër, duke marrë kompetencat e një kryeministri dhe parlamenti prej nga buron mandati i qeverisë, zgjedhja jonë në raport me këtë fakt është strategjikja si gjithmonë, për ta ruajtur dhe mbështetur pavarësinë e gjyqësor edhe në këtë rast ekstrem. Ne nuk do i përgjigjemi këtij arbitrariteti me asnjë lloj arbitraritetit, as nuk angazhohemi në betejë politike, retorike me drejtësinë, por do vazhdojmë me durimin tonë strategjik, do ta ruajmë mbështesim, do ta respektojmë vendimin e pezullimit dhe ndërkohë do të kërkojmë mbrojtjen e pavarësisë së funksionalitetit të cenuar të qeverisë tek drejtësia. Këta jemi ne, ky jam unë”, tha Rama.
Reagimet
Vendimi i Ramës për ta çuar në Kushtetuese pezullimin e Ballukut nuk pritet të prodhojë një ndryshim të vendimit të gjykatës, i cili sipas juristëve, është i bazuar në praktikat ekzistuese dhe ligjet në fuqi. Për juristin Jordan Daci ankimimi është një e drejtë juridike dhe vendimit të GJKKO-së i duhet ‘një test kushtetues”, duke qenë se është një precedent i zbatimit të neneve të Kodit të Procedurës Penale në nivel zyrtarësh qeveritare. Por ai i tha BIRN-it se “me praktikat ekzistuese kushtetuese ky vendim e kalon testin”.
Ai e lidh besimin e tij me rastin e kryetari të PD-së, Sali Berisha, i cili ankimoi si antikushtetues masën e sigurisë, “Detyrim paraqitje”, nga Prokuroria e Posaçme si kufizim të lirisë së deputetit, por Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë prokurorisë. Krijimin e precedentit nga ana e Gjykatës Kushtetuese Daci e lidh me një ndikim të drejtpërdrejtë edhe në vlerësimin e masës së pezullimit nga detyra. “Duke qenë se Gjykata e ka konsideruar të lejuar vendosjen e masave kufizuese edhe ndaj deputetëve, nuk ka më bazë kushtetuese për të pretenduar një standard më të lartë mbrojtjeje për ministrat ose për kryeministrin”- analizon Daci, i cili pranon se në këtë praktikë ka një problem të cënimit të parimit të ndarjes së pushteteve dhe ekuilibrit kushtetues.
Ndërsa avokati Gentian Serjani e sheh vendimin GJKKO-së krejtësisht të bazuar në nenin 135 të Kushtetutës dhe të mbështetur në nenet 233 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale. “Duke ndjekur të njëjtën logjikë, nëse z. Rama kundërshton zbatimin e këtij vendimi në Gjykatën Kushtetuese, lind pyetja: në rast se GJKKO do të kishte caktuar një masë shtrënguese më të rëndë, siç është arresti me burg, a do ta kishte kundërshtuar sërish z. Rama zbatimin e vendimit duke penguar arrestimin,” pyet Serjani në një analizë për BIRN.
Çfarë thotë ligji?
Sa i përket interpretimit të neneve të Kodit të Procedurës penale, ku thuhet se kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral, Serjani argumenton se në këtë kategori futen deputetët dhe të zgjedhurit vendorë; kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë. “Në rastin e znj. Balluku, nuk kemi të bëjmë me një person të zgjedhur drejtpërdrejt sipas ligjit elektoral për funksionet për të cilat është dhënë masa e pezullimit. Vendimi i GJKKO-së lidhet me ushtrimin e detyrave të saj si zv/ministre dhe ministër, detyra që burojnë nga emërimi i Kryeministrit, jo nga vota e qytetarëve”, thotë ai duke shtuar se “prandaj, kjo normë nuk mund të interpretohet si mbrojtje për funksionet e saj ekzekutive”.
Pretendimin e Kryeministrit se qeveria e tij ka mbetur pa zëvendëskryeministër Serjani e konsideron të pabazuar, sepse sipas tij, “pozicionet ministrore nuk janë funksione të lidhura me një individ të pandashëm, por me këdo që Kryeministri vendos të emëroj”. “Në këtë rast, Kryeministri thjesht duhej të caktonte një zëvendësim, duke respektuar vendimin e drejtësisë, asaj drejtësie të re të cilën z.Rama e ka vlerësuar shpesh si arritje të qeverisë së tij”, shton ai.
Krahasimi
Rama pretendoi se pezullimi i një anëtari qeverie nga drejtësia ishte “një rast unikal në historinë e Europës…” , por ekspertë të politikës thonë se ky pretendim nuk qëndron dhe ç’është më e rëndësishmja ai bie në kundërshtim me frymën e drejtësisë së re. Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studimeve Politike, solli në vëmendje disa raste të ngjashme në botë ku janë pezulluar zyrtarë të lartë me vendime gjykate, ndërsa i kujton kryeministrit se standardi europian ku kërkon të anëtarësohet Shqipëria parashikon detyrime etike, politike dhe institucionale ku zyrtarët e akuzuar për korrupsion japin dorëheqje dhe më pas përballen me drejtësinë.
“Praktika, sipas të cilës dorëheqja refuzohet, përdoret qeveria e shteti kundër prokurorit/gjykatësit dhe refuzohet zbatimi i vendimit gjyqësor, ka pasoja thelbësore në cilësinë e shtetit dhe demokracisë dhe në aspektin kushtetues, mund ta çoj në një pozitë jo kushtetuese të vetë organit vendimmarrës, kryeministrit apo qeverisë”, shkruan ai në një analizë të publikuar në Facebook. Sipas Krasniqit, “cilido që e ka këshilluar kryeministrin ndryshe, vetëm sa ka menduar me llogarinë afatshkurtër të forcës “83 mandate” jo me logjikën kushtetuese, pasojën afatgjatë dhe konceptin e shtetit të së drejtës”. Edhe Irena Beqiraj, ish-zëvendësministre në qeverinë Rama, dhe më pas një kritike e kësaj qeverisje komentoi deklaratat e kryeministrit duke folur për “kulturë të instrumentalizimit të ligjit” nga ana e mazhorancës socialiste.
“Ky është një rast unikal, sepse është po ashtu rast unikal që një ministër edhe njëherazi zv/Kryeministër merret i pandehur dy herë për të njëjtën vepër penale edhe nuk dorëhiqet, apo shkarkohet”, ironizoi ajo deklaratën e Ramës në një postim në Facebook. Nga ana tjetër Serjani sjell në vëmendje se reforma në drejtësi u miratua pikërisht me qëllimin që të mos ketë më zyrtar të paprekshëm dhe nëse duhet t’i qëndrojmë besnikë frymës së kësaj reforme duhet të pranojmë edhe vendime të tilla nga drejtësia e re.
