Media britanike pasqyron protestën në Tiranë: Molotov ndaj Kryeministrisë dhe thirrje për rrëzimin e qeverisë Rama

Data

Protesta e opozitës në Tiranë ka marrë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare. Një nga gazetat më të njohura britanike i ka kushtuar vëmendje zhvillimeve të fundit politike në Shqipëri, duke raportuar për tensione të forta dhe hedhjen e bombave molotov drejt godinës së Kryeministrisë.

Sipas raportimit, qindra protestues u mblodhën në kryeqytet duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Gjatë protestës pati momente përshkallëzimi, ku u hodhën mjete shpërthyese artizanale në drejtim të ndërtesës qeveritare, ndërsa forcat e policisë rrethuan zonën përreth.

Protestat shpërthyen pas akuzave për korrupsion ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, një nga figurat kryesore të qeverisë. Ajo dyshohet se është përfshirë në skema abuzimi me fondet publike dhe favorizim të kompanive private në projekte madhore infrastrukturore.

Në artikull theksohet se tensionet politike në Shqipëri janë rritur ndjeshëm javët e fundit, ndërsa Balluku ka mohuar akuzat duke i cilësuar ato si shpifje dhe ka deklaruar se do të bashkëpunojë me drejtësinë. Megjithatë, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar heqjen e imunitetit të saj dhe autorizimin për arrestim, ndërsa ende nuk ka një datë për votimin në Kuvend.

Gjatë protestës së së hënës, policia u pozicionua me mjete dhe trupa të shumta rreth Kryeministrisë, por nuk ndërhyri për të shpërndarë protestuesit, pavarësisht tensionit dhe incidenteve të regjistruara.

Një nga protestuesit u citua të shprehej se qytetarëve u ka ardhur në majë të hundës me korrupsionin dhe mungesën e përgjegjësisë politike, duke theksuar se bëhet fjalë për qindra milionë euro të shpërdoruara pa pasoja.

Artikulli përfundon duke nënvizuar se ministria e Infrastrukturës, e drejtuar nga Balluku, administron fonde shumë të mëdha publike për ndërtimin e rrugëve, urave dhe tuneleve, çka e bën këtë çështje një nga skandalet më të ndjeshme politike në Shqipëri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related