Pas regjistrimit të hetimit të dosjes së “21 janarit”, Prokuroria e Posaçme (SPAK) nuk ka humbur kohë, ndërsa ka ftuar më 22 korrik për të dhënë sqarime, xhaxhain dhe bashkëshorten e Aleks Nikës i mbetur të vrarë në bulevard gjatë protestës së opozitës së asaj kohe në 21 janar 2011 kundër qeverisë Berisha. Për mbi 13 vjet përplasje në dyert e gjykatave dhe pas verdiktit të dhënë në Strasburg Mark dhe Rajmonda Nika do të pyeten nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit për kallëzimin ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe ish-drejtuesit të gardës Ndrea Prendi. Bashkëshortja e Aleks Nikës, Rajmonda do të paraqitet në orën 10:00, ndërsa Mark Nika në orën 12:00, të hënën e datës 22 korrik. Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK.
Mësohet se Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë “21 janarin”. Shehu gjithashtu ka rihapur edhe dosjen e njohur si “Xibraka”. Ishte Gjykata e Lartë ajo që urdhëroi Prokurorinë e Posaçme ta regjistrojë procedimin, si një detyrim që rrjedh edhe nga vendimin i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Familja e Nikës prej më shumë se një dekade kërkon drejtësi për vrasjen e djalit të tyre dhe tashmë SPAK pritet të zbardhë të vërtetën e asaj ngjarje dhe rolin e kupolës më të lartë shtetërore.
Procedimi penal është regjistruar për vrasjen e Nikës dhe plagosjen e tre protestuesve të tjerë, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa, por nëse akuzat provohen dhe faktohet se Garda është urdhëruar të kalojë nga plumbat manovër në plumba të vërtetë nga Sali Berisha, ndëshkimi do të jepet për të gjitha jetët e humbura, si krim shtetëror. Të afërmit e Aleks Nikës kanë pretenduar se kanë një kasetë , ku jepet urdhri për vrasjet shtetërore, të cilën do t’ia vënë në dispozicion SPAK-ut.
“21 Janari”, SPAK pritet të thërrasë Berishën
Ndërkohë gazetari Ermal Vija ka zbuluar se dje pas thirrjes së familjarëve të Aleks Nikës për të dëshmuar për “21 Janarin”, Prokurorisë së Posaçme (SPAK) i hapet rruga për të thirrur personat që janë kallëzuar, konkretisht ish kryeministrin Sali Berisha, Lulzim Bashën, asokohe ministër i Brendshëm, apo edhe drejtues të lartë të Gardës. Vija shtoi se SPAK tanimë mund të shtrijë hetimet dhe ka material të mjaftueshëm. “Ditën e hënë në orën 10:00, personi i parë që do të japë sqarime në SPAK, është Rajmonda Lika, bashkëshortja e Aleks Nikës. Vetëm 2 orë më vonë do jetë Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, edhe ky i fundit do të japë sqarime në SPAK. Këta persona kanë qenë të partë që kallëzuan që vrasjet e 21 janarit janë një krim shtetëror, të organizuara me urdhër të lartë shtetëror, sikundër kanë qenë ish kryeministri Sali Berisha, ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha, apo edhe drejtues të lartë të Gardës.
