BE zgjat sanksionet ekonomike ndaj Rusisë edhe për gjashtë muaj

Data

Këshilli i Bashkimit Evropian ka vendosur të zgjasë sanksionet ekonomike ndaj Rusisë deri më 31 korrik 2026, duke vijuar presionin politik dhe ekonomik ndaj Moskës.

Masat ndëshkuese u vendosën për herë të parë në vitin 2014 dhe u zgjeruan ndjeshëm në shkurt të vitit 2022, pas agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës. Bashkimi Evropian thekson se sanksionet janë përgjigje ndaj shkeljeve të rënda të së drejtës ndërkombëtare.

Sanksionet përfshijnë kufizime të forta në sektorë kyç si tregtia, financat, energjia, teknologjia, industria dhe transporti. Po ashtu, ato prekin mallrat me përdorim të dyfishtë dhe produktet luksoze.

Në kuadër të masave ndëshkuese, BE ka ndaluar importin dhe dërgimin e naftës bruto ruse dhe disa produkteve të naftës, ka përjashtuar disa banka ruse nga sistemi ndërkombëtar i pagesave dhe ka pezulluar aktivitetin e disa mediave ruse në territorin evropian.

Autoritetet evropiane kanë theksuar se sanksionet do të mbeten në fuqi për aq kohë sa Rusia vazhdon të shkelë normat themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe sovranitetin e vendeve fqinje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related