Gazetari Elton Tozaj, i cili u dhunua brutalisht më 26 dhjetor 2025, ka folur së fundmi publikisht për ngjarjen dhe arsyet pse nuk e denoncoi menjëherë sulmin. Në një intervistë në emisionin “Me zemër të hapur”, ai rrëfeu detaje tronditëse nga ajo që e cilësoi si një akt dhune të lidhur drejtpërdrejt me punën e tij si gazetar.
Sipas Tozajt, sulmi erdhi pas publikimit të disa materialeve filmike që, sipas tij, tregonin lidhje të rrezikshme mes personazheve të njohur të ekranit dhe individëve të botës së krimit. Ai tregoi se mbrëmjen e ngjarjes ishte takuar me dy persona që i njihte, pa e imagjinuar se takimi do të përfundonte në dhunë ekstreme.
“Pas goditjeve humba ndjenjat dhe nuk mbaj mend asgjë nga momenti i sulmit”, tha Tozaj.
Gazetari theksoi se puna e tij në showbiz shpesh shihet si e lehtë, por në realitet është një fushë e ndërlikuar dhe e rrezikshme, sidomos kur përdoret për interesa të paligjshme.
“Misioni i gazetarit është të thotë të vërtetën. Showbiz në Shqipëri është gjithçka, dhe çdo gjë që unë bëj ka një qëllim. Shpresoj që ata që e përdorin showbizin për t’u pasuruar të hetohen”, u shpreh ai.
Tozaj shpjegoi se arsyeja kryesore pse nuk e denoncoi menjëherë dhunën lidhet me një precedent të mëparshëm, kur sipas tij ishte kërcënuar nga një punonjës policie vite më parë. Ai ngriti dyshime serioze për mbrojtje institucionale të personave që e kanë kërcënuar dhe dhunuar.
“Këtë herë mendova ta ndjek ligjërisht, por kur shkova në Drejtorinë e Përgjithshme dhe më pas në atë të Tiranës, një nga njerëzit e personit që kam denoncuar punonte aty. Ky person ka kaluar pesë gardhe policie. A është i mbrojtur? Ai është personi më i kërkuar për momentin, dhe unë pyes: pse nuk e kapin?”, deklaroi gazetari.
Ai theksoi gjithashtu se ndaj tij nuk ka asnjë çështje penale për shkrimet apo denoncimet që ka bërë gjatë karrierës së tij.
“Nëse dikush ndihet i kërcënuar nga ato që shkruaj, le të më çojë në gjyq. Nuk ka asnjë proces ndaj meje”, tha ai.
Në fund, Tozaj foli edhe për reagimet pas dhunës, duke theksuar mbështetjen e gjerë që ka marrë nga miqtë, kolegët dhe personazhet e showbiz-it, por edhe zhgënjimin për mungesën e reagimit nga dy kolege të tij.
“Pas incidentit më telefonuan pothuajse të gjithë miqtë e mi gazetarë dhe shumë personazhe të showbiz-it. Por dy kolege nuk më kontaktuan fare. Më vjen shumë keq, sepse nëse do t’u kishte ndodhur atyre, unë do t’u isha gjendur publikisht dhe edhe fizikisht”, përfundoi Tozaj.
