Gjatë mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, ish-kryeministri Sali Berisha ka ashpërsuar akuzat ndaj qeverisë dhe zv/kryeministres Belinda Balluku, duke deklaruar se vetëm në tri dosje të zbuluara nga SPAK ajo rezulton të ketë vjedhur rreth 1.2 miliardë euro.
Berisha i ka bërë thirrje qytetarëve që, nëse përballen me ministra të qeverisë Rama, t’i gjuajnë me domate dhe vezë, duke e cilësuar këtë si reagim qytetar ndaj korrupsionit dhe përgjegjësisë së qeverisë për përmbytjet e përsëritura.
Sipas tij, përmbytjet janë pasojë direkte e keqmenaxhimit dhe mungesës së investimeve, duke theksuar se rreziku nga dalja e lumit Vjosa është i njohur prej vitesh, por nuk janë marrë masa parandaluese. Berisha tha se sistemet e kanalizimeve janë jashtë funksioni, të bllokuara nga ndërtime betoni dhe të papastruara, pavarësisht deklaratave zyrtare.
Ai akuzoi qeverinë edhe për neglizhencë të rëndë në infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytjet, duke përmendur problematika në Durrës, ku sipas tij hidrovoret nuk funksionojnë, pompat janë vjedhur ose zëvendësuar dhe fondet janë shpërdoruar.
“Në vend të një ndjese publike dhe dorëheqjeje, qeveria dërgon përfaqësues për të bërë show. Vetëm me tri dosje shkon në 1.2 miliardë euro grabitja e parave të qytetarëve shqiptarë. Pas gjithë kësaj qëndron Rama”, u shpreh Berisha.
