Analisti Andi Bushati ka ngritur kritika të forta ndaj mënyrës se si po menaxhohet situata e çmimeve në Shqipëri, duke e cilësuar tregun e karburanteve si të përqendruar në një numër shumë të vogël operatorësh.
Në një analizë televizive, Bushati argumentoi se vendi nuk ndodhet në një krizë klasike politike, por në një sistem që ai e përkufizon si “stabilokraci” apo “autokraci elektorale”, ku ndryshimi i pushtetit është i vështirë.
Duke komentuar rritjen e çmimeve të karburanteve, ai theksoi se ndikimi vjen edhe nga faktorë ndërkombëtarë, si tensionet në Lindjen e Mesme, por kritikoi qeverinë për mosndërhyrje efektive në treg.
Sipas tij, një nga problemet kryesore është struktura oligopoliste e tregut:
“Gjithë tregu i karburanteve është i përmbledhur në pak duar, mos them në dy duar”, u shpreh Bushati.
Ai shtoi se qeveria nuk ka ndërmarrë masa thelbësore si ulja e taksave kryesore mbi karburantet, por është fokusuar më shumë te komunikimi publik dhe presioni ndaj operatorëve.
Bushati argumentoi gjithashtu se mungesa e zgjedhjeve të lira dhe funksionale e bën të vështirë kanalizimin e pakënaqësisë qytetare, duke u shprehur pesimist për ndryshime në afat të shkurtër.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur çmimet e karburanteve në vend kanë arritur nivele të larta, duke ndikuar drejtpërdrejt në koston e jetesës dhe në ekonominë e përgjithshme.
