Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen dhe të largohet menjëherë nga pushteti, duke theksuar se sipas tij, veprat kriminale të kryeministrit “nuk kanë fund”.
Në një deklaratë publike, Berisha u shpreh se në dosjet hetimore që lidhen me Belinda Ballukun dhe Mirlindën, përmendet edhe emri i Edi Ramës, çka sipas opozitës përbën një implikim të rëndë politik dhe penal.
“Arnold Rrokaj do raportonte, kishte numrin e kryeministrit dhe do t’i jepte njoftim për faqet që kishin hakeruar. Ky përbën një nga krimet më të rënda. Ky është implikim madhor i Edi Ramës dhe unë kërkoj dorëheqje të menjëhershme”, tha Berisha.
Ai akuzoi kryeministrin se ka tentuar të vjedhë dokumente sekrete të hetimit me qëllim kontrollin e proceseve penale dhe ndikimin mbi drejtësinë. Sipas Berishës, ky veprim përbën një akt kriminal të rëndë dhe një shkelje të hapur të ligjit dhe Kushtetutës.
“Kërkonte të vidhte dokumente sekrete të hetimit që të kontrollonte procesin. E dënoj këtë akt kriminal dhe kërkoj largimin e menjëhershëm nga detyra e kryeministrit. I bëj thirrje shqiptarëve të marrin në dorë fatet e ligjit dhe Kushtetutës, sepse Rama po i shkelmon ato për qëllime kriminale personale”, u shpreh Berisha.
Deklaratat vijnë në një moment tensioni të lartë politik, ndërsa opozita paralajmëron përshkallëzim të aksionit të saj dhe kërkon përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike nga qeveria.
