Zgjedhjet në Himarë, pas ribërjes për shumë shkaqe tej elektorale, ikjes së prangosur të Belerit, kapërcimit ylberist të Tavos, ardhjes surprizë amerikane të kandidatit Petro Gjikuria, prodhuan shembullin e përsëritur, të Rrogozhinës, apo Kukësit, ku mazhoranca kthehet me përmbysje. Nga minus 19 në plus 1500, qindra herë më tepër, ndonëse shkaqet fituese janë e kundërta e rezultatit.
Një miku im më thoshte dje me sarkazëm se, tashmë kandidatët e ardhshëm në Himarë mund të jenë Jared Kushner banor në Sazan, Samir Mane nga Palasa, apo Edi Rama nga Vunoi. S’ka vende bosh për vendim-marrje të tjera. E diela e 4 gushtit ishte kronikë e një gare të paralajmëruar. Dita e emërimeve zgjedhore, u bë dita e falënderimeve qeveritare të pushtetit. Duke dëshmuar se, zgjedhjet edhe kur zhvillohen janë një telash, aq më tepër kur nuk ndodhin, siç kemi 5 rastet e fundit.
Çfarë bëri vaki ?
Qeveria me gjithë administratën, policia, prokuroria, gjykatat, shërbimet, KQZ, bizneset e mëdha, mediet e grupet kriminale mbuluar thjesht me një kapele dielli, pronarët e lejeve të shumta të ndërtimit lëshuar pa kursim e pa hesap muajt e fundit, import-eksport votuesish, ishin aty. Një qelizë eksperimentale për zgjedhjet e vitit 2025. Emigrantët dhe formula e votimit me kontroll milimetrik nga qeveria janë një shteg i ri abuzimi dhe përdorjes së numrave. Kjo skemë e sapodalë nga laboratori i rilindjes, ngjashëm me pjesoret e Korçës në 2015 e Dibrës 2016, do t’u hapë udhë majtistëve me numër të frikshëm mandatesh vitin pasardhës. Ndërsa qytetarët brenda e jashtë vendit, bëhen gati pranverën e ardhshme të ndajnë faktin, nëse mandatin pasardhës, Edi Rama do të qëndrojë apo zhduket nga zyra e zaptuar në 2013-tën, bilanci i tij është vërtet kanibal. Janë iluzione opozitare, ndonëse me vend, pritshmëritë se, Prokuroria e Posaçme do të drejtojë kurrizin e do të ndëshkojë ekipet elektorale Mafie-Qeveri, apo do ua vërë veshin seriozisht dhe shpejt kallëzimeve të shumta të saj.
