Uji mungon, vera rrjedh – Blushi: Balluku vodhi fondet e Ujësjellësit

Data

Mungesa e ujit të pijshëm prej pesë ditësh në qytetin e Vlorës ka nxitur reagime të forta politike. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar qeverinë dhe veçanërisht ministren Belinda Balluku për grabitje të fondeve publike, duke e cilësuar situatën si pasojë direkte të korrupsionit dhe keqmenaxhimit.

Në një konferencë për mediat, Blushi deklaroi se mbi 50 milionë euro të destinuara për Ujësjellësin janë zhdukur, ndërsa qytetarët e Vlorës janë lënë pa shërbimin më bazik, ujin e pijshëm. Ai e quajti këtë një skandal të rëndë, që sipas tij tregon qartë prioritetet e qeverisë.

“Vlora është pa ujë, ndërsa pushtetarët ‘lahen’ me verë luksi. 33 mijë euro shishja është simbol i korrupsionit dhe arrogancës së kësaj qeverie. Këto janë para të vjedhura nga qytetarët, para që duhej të garantonin furnizimin me ujë të pijshëm,” u shpreh Blushi.

Sipas tij, situata aktuale nuk është një defekt teknik apo një fatkeqësi e rastësishme, por rezultat i drejtpërdrejtë i grabitjes sistematike të fondeve publike dhe i projekteve të dështuara që janë përdorur vetëm për përfitime klienteliste.

Blushi akuzoi drejtpërdrejt ministren Balluku se ka vjedhur edhe fondet e Ujësjellësit, duke e lënë qytetin në krizë, ndërsa qeveria, sipas tij, përpiqet të justifikohet me arsye teknike dhe të fajësojë faktorë të tjerë.

“Qytetarët mbushin bidona, ndërsa qeveria organizon mbrëmje luksi dhe propagandë. Kjo është fytyra e vërtetë e këtij pushteti,” tha ai, duke shtuar se protesta e qytetarëve të Vlorës është plotësisht e drejtë dhe e justifikuar.

Në fund, Blushi bëri thirrje për qëndresë qytetare dhe reagim të pandalur kundër asaj që e cilësoi si regjim të kalbur, duke theksuar se vetëm presioni publik mund të rikthejë sovranitetin te qytetarët dhe t’i japë fund pandëshkueshmërisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related