Matura Shtetërore 2026, Kumbaro paralajmëron maturantët: Telefonat dhe pajisjet inteligjente ndalohen rreptësisht

Data

Pak ditë para nisjes së provimeve të Maturës Shtetërore 2026, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka apeluar ndaj maturantëve që të respektojnë me rigorozitet rregulloren e provimeve, duke paralajmëruar se çdo shkelje do të sjellë penalizime të menjëhershme.

Gjatë një konference për mediat, ministrja bëri me dije se organizimi i Maturës ka nisur që në dhjetor të vitit 2025 dhe ka përfshirë publikimin e modeleve të testeve, zhvillimin e provimeve simuluese dhe përgatitjen e infrastrukturës logjistike në të gjithë vendin.

Sipas saj, provimet do të zhvillohen në 144 qendra provimi në mbarë Shqipërinë, ndërsa mbi 170 monitorues të Ministrisë së Arsimit do të mbikëqyrin procesin për të garantuar korrektësi dhe barazi për të gjithë maturantët.

Kumbaro theksoi se këtë vit rregullorja është ashpërsuar, me përgjegjësi dhe sanksione më të qarta për administratorët dhe nxënësit. Ajo nënvizoi se telefonat celularë, orët inteligjente dhe çdo pajisje tjetër elektronike janë rreptësisht të ndaluara në ambientet e provimit.

“Çdo thyerje e këtij rregulli do të sjellë automatikisht përjashtimin e maturantit nga provimi. Është një kosto që shpresoj të mos e marrë përsipër askush, duke rrezikuar vitet e shkollimit për një gabim të tillë,” deklaroi ministrja.

Provimet e Maturës Shtetërore do të zhvillohen më 2, 9, 16 dhe 23 qershor, ndërsa Ministria e Arsimit ka nisur një fushatë sensibilizuese për ndërgjegjësimin e maturantëve mbi respektimin e rregullave dhe mbarëvajtjen e procesit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related