SPAK çon për gjykim tre ish-policë, akuzohen për lidhje me grupe kriminale të trafikut të drogës dhe kultivimit të kanabisit në jug të vendit

Data

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre ish-punonjës të Policisë së Shtetit, të akuzuar për lidhje me grupe të strukturuara kriminale të përfshira në trafikimin dhe kultivimin e lëndëve narkotike.

Sipas SPAK, në bankën e të akuzuarve do të ulen ish-policët Erdit Hazizaj, Shkëlzen Ruska dhe Ervis Alisinaj. Dy të parët akuzohen për përfshirje në veprimtari kriminale të lidhura me trafikun dhe kultivimin e drogës, ndërsa Alisinaj për shpërdorim detyre.

Hetimet kanë zbuluar se gjatë viteve 2019-2021, në zonat e Sarandës, Tepelenës dhe Gjirokastrës kanë vepruar grupe kriminale të organizuara që merreshin me kultivimin dhe trafikimin e kanabisit drejt Greqisë. Sipas dosjes hetimore, ish-efektivët e policisë dyshohet se kanë ndihmuar këto grupe duke u dhënë informacione konfidenciale, garanci për vijimin e aktivitetit kriminal dhe duke mos ndërhyrë për parandalimin e tyre.

Një nga rastet e dokumentuara nga SPAK lidhet me sekuestrimin e mbi 1.1 ton kanabis në Pikën Kufitare të Qafë Botës në mars të vitit 2020, me një vlerë të përllogaritur rreth 1.7 milionë euro. Po ashtu, hetimet kanë evidentuar edhe kultivimin e mbi 1.300 bimëve narkotike në zonën Tepelenë-Gjirokastër.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, veprimet dhe mosveprimet e ish-punonjësve të policisë kanë cenuar rëndë funksionimin e strukturave ligjzbatuese dhe besimin e publikut te Policia e Shtetit.

Çështja tashmë i kalon për shqyrtim Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndërsa të pandehurit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related