Rëndohet bilanci i sulmit terrorist të ndodhur në plazhin e Sidneit, në Australi, ku shënjestër ishin qytetarë hebrenj që po festonin Hanukkah. Autoritetet konfirmojnë se numri i viktimave ka shkuar në 12 të vdekur dhe 29 të plagosur, nga një bilanc paraprak prej 10 viktimash.
Mes të vrarëve është edhe një vajzë 10-vjeçare, si dhe rabini Eli Schlanger, një emisar i komunitetit hebre Chabad në Sydney. Dy efektivë policie ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore pas shkëmbimit të zjarrit me autorët.
Sipas hetimeve paraprake, njëri nga sulmuesit u vra gjatë ndërhyrjes së policisë, ndërsa autori i dytë ndodhet në gjendje kritike për jetën. Autoritetet australiane e kanë cilësuar ngjarjen si akt terrorist me motiv antisemit, ndërsa në zonë u gjetën edhe pajisje shpërthyese të improvizuara, të vendosura në një automjet pranë vendit nga ku u hap zjarri.
Ekspertët e çmontimit të bombave ndërhynë menjëherë dhe neutralizuan pajisjet, të cilat u larguan nga zona me automjet të blinduar, duke shmangur pasoja edhe më të rënda.
Komunitetet myslimane në Australi kanë dënuar ashpër sulmin. Komuniteti Musliman Ahmadiyya shprehu tronditje dhe solidaritet me familjet e viktimave, duke theksuar se dhuna ndaj civilëve është e papranueshme dhe bie ndesh me çdo vlerë njerëzore dhe fetare.
Nga ana tjetër, Ministria e Diasporës e Izraelit reagoi ashpër, duke akuzuar qeverinë australiane për tolerancë ndaj elementëve ekstremistë. Në një deklaratë zyrtare, ajo theksoi se autoritetet e Canberrës mbajnë përgjegjësi për mungesën e sigurisë së komunitetit hebre.
“Ky akt barbar terrorist që shënjestroi hebrenjtë gjatë një feste fetare është pasojë e dështimit për t’i garantuar siguri qytetarëve hebrenj. Gjaku i viktimave është përgjegjësi e qeverisë australiane”, thuhet në reagim.
Një zëdhënës i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë së Australisë konfirmoi se njëri nga autorët ishte i njohur për autoritetet, por nuk konsiderohej si kërcënim i menjëhershëm. Hetimet po vijojnë për të zbardhur radikalizimin dhe rrjetin e mundshëm mbështetës të autorëve.
Ngjarja ka tronditur thellë Australinë dhe ka ngritur alarmin për sigurinë e tubimeve fetare dhe komunitare, ndërsa autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë në të gjithë vendin.
