Përgjime tronditëse nga dosja e SPAK: Rrjeti Rraja në trafikun e drogës, biseda për kokainën e kapur dhe paratë e humbura

Data

Zbardhen detaje të reja nga dosja hetimore e SPAK për grupin kriminal Rraja, i dyshuar për përfshirje në disa episode të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Në kuadër të hetimit, janë arrestuar Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit Rrahman Rraja, si dhe kushëriri i tij Përparim Rraja, ndërsa hetimet vijojnë për anëtarë të tjerë të rrjetit.

Sipas prokurorisë, grupi kriminal dyshohet për tre episode trafiku droge, dy raste me marijuanë dhe një me kokainë në sasi të mëdha. Një nga rastet më të rënda lidhet me 475 kilogramë kokainë, të sekuestruara më 23 nëntor 2020 në portin e Vlissingenit në Holandë.

Nga hetimet rezulton se Ervis Shuli dyshohet si porositësi dhe organizatori kryesor i kësaj ngarkese. Ai komunikonte përmes aplikacionit të koduar Sky ECC me Përparim Rrajën, të cilit, sipas dosjes, i kishte futur në ngarkesë edhe 2 kilogramë drogë për llogari personale, duke qenë në dijeni të vështirësive financiare të tij.

Në një nga mesazhet e përgjuara, Shuli i shkruan Përparim Rrajës:

“Vëlla, copën ta kam futur me lekët e mia, se e di që nuk ke lekë, por mos ta ndijë.”

Në vijim të bisedave, dalin edhe tensione mes anëtarëve të rrjetit, pas kapjes së ngarkesës së kokainës. Shuli flet për një konflikt me një person nga zona e Fushë-Krujës, i cili dyshohet se nuk kishte shlyer pagesën e drogës:

“Ku është ai…? Më tha jam në Shqipëri. Tani që malli është kapur dhe ka dalë në lajme, më dërgon mesazh që ka takuar ty dhe djalin e deputetit dhe i keni thënë se dikush ia ka futur.”

Ndërkohë, Rexhep Rraja rezulton i përfshirë edhe në një tjetër episod të rëndë, atë të 236 kilogramëve marijuanë, të sekuestruara më 26 janar 2021 në një kamion në Turqi. Për këtë rast, ai dyshohet se ka bashkëpunuar me disa persona të tjerë, shqiptarë dhe të huaj, disa prej të cilëve janë të dënuar më parë për vepra të rënda penale.

Sipas dosjes hetimore, Rexhep Rraja përdorte disa nofka në Sky ECC, përfshirë “XR1”, “New Sky” dhe “Nkëmb”, ndërsa lënda narkotike ishte e paketuar me kujdes, e mbështjellë me letër alumini dhe e shënuar për të dalluar pronësinë e pakove.

Grupi kriminal përbëhej nga 14 persona, ku:

  • 10 janë arrestuar
  • 4 janë shpallur në kërkim

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal, lidhjet ndërkombëtare dhe rolin e secilit prej të dyshuarve në këtë rrjet të trafikut të drogës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related