Goditet rrjeti shqiptar i drogës në Siçili: 5 të arrestuar, 1 në kërkim! Sekuestrohen mbi 2 kg kokainë, zbardhet edhe tentativa për vrasjen e një oficeri

Data

Një organizatë shqiptare e trafikut të drogave të forta është çmontuar nga autoritetet italiane gjatë një operacioni të gjerë të zhvilluar në fundjavë në rajonin e Siçilisë.

Si rezultat i aksionit, pesë shtetas shqiptarë u arrestuan, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim. Gjatë operacionit u sekuestruan mbi 2 kilogramë kokainë me pastërti të lartë, të kapura në kushte flagrante.

Operacioni u krye nga Karabinierët e Alba Adriatica, me mbështetjen e njësive të specializuara, përfshirë qen antidrogë, helikopterë dhe forca të ndërhyrjes operative. Urdhri për arrestimet u lëshua nga gjyqtari hetues i Gjykatës së Teramos, me kërkesë të Prokurorisë.

Sipas autoriteteve, aktiviteti kriminal shtrihej kryesisht në zonat e Teramos dhe Ascoli Piceno, ndërsa hetimet zbuluan një sistem të organizuar shpërndarjeje droge në disa bashki, duke e trajtuar zonën si një “treg të vetëm” narkotikësh.

Grupi dyshohet se përdorte shpërndarje “derë më derë”, të organizuar përmes mediave sociale. Një nga metodat më të sofistikuara ishte fshehja e drogës: sasi të mëdha kokaine varroseshin në zona rurale dhe në toka që nuk kishin lidhje direkte me të dyshuarit. Ato nxirreshin vetëm në momentin e kërkesës dhe ndaheshin në doza të vogla për shitje, për të shmangur akuzat për trafik në rast kontrolli.

Gjatë hetimeve rezultoi se mes të përfshirëve kishte edhe një të mitur.

Operacioni lidhet gjithashtu me një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur më 19 nëntor 2024, kur një nënoficer i Karabinierëve u sulmua brutalisht gjatë një tentative për vjedhje në banesën e nënës së tij. Oficeri u përball me autorët dhe i mbijetoi sulmit, ndërsa hetimet e mëvonshme çuan në zbulimin e këtij rrjeti kriminal.

Njëri prej autorëve të asaj tentative u arrestua në muajin korrik në qytetin Rovigo, ku fshihej duke përdorur një identitet të rremë.

Të arrestuarit janë transferuar në burgun e Teramos dhe ndodhen në dispozicion të autoriteteve gjyqësore, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related