Lufta SHBA-Izrael me Iranin rrit çmimet e karburanteve në botë, mbi 85 vende të prekura nga kriza

Data

Konflikti mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit ka filluar të reflektohet fuqishëm në ekonominë globale, duke shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës dhe benzinës në shumë vende të botës.

Në Shtetet e Bashkuara, çmimi mesatar i benzinës është rritur nga 2.94 dollarë për galon në muajin shkurt në 3.58 dollarë, një rritje prej rreth 20%, sipas të dhënave të Shoqatës Amerikane të Automobilave (AAA). Në disa shtete çmimi ka kaluar 4 dollarë për galon, ndërsa në Kaliforni ka tejkaluar 5 dollarë, niveli më i lartë në dy vitet e fundit.

Sipas platformës “Global Petrol Prices”, e cila monitoron tregjet në rreth 150 vende, të paktën 85 shtete kanë regjistruar rritje të çmimeve të karburanteve që nga fillimi i sulmeve ndaj Iranit më 28 shkurt.

Rritjen më të madhe e ka shënuar Vietnami, ku çmimi i benzinës është rritur me afro 50%, i ndjekur nga Laosi me 33%, Kamboxhia me 19%, Australia me 18% dhe SHBA me rreth 17%.

Vendet aziatike janë ndër më të prekurat, pasi shumë prej tyre varen nga transporti i energjisë që kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për eksportin e naftës dhe gazit në botë.

Përballë kësaj situate, disa shtete kanë marrë masa emergjente. Japonia ka kërkuar përgatitjen për përdorimin e rezervave strategjike të naftës, ndërsa Koreja e Jugut ka vendosur kufizim çmimesh për benzinën dhe naftën për herë të parë në 30 vjet.

Në Azinë Jugore, vendet me ekonomi më të brishtë po ndjejnë më shumë pasojat. Në Bangladesh janë mbyllur universitetet për të kursyer energji, ndërsa në Pakistan zyrat qeveritare po funksionojnë vetëm katër ditë në javë dhe shumë punonjës po kalojnë në punë nga shtëpia për të ulur konsumin e karburantit.

Ndërkohë në Evropë, ministrat e financave të vendeve të G7 kanë zhvilluar një takim urgjent për krizën energjetike, ndërsa Franca ka propozuar lirimin e një pjese të rezervave strategjike të naftës për të zbutur rritjen e çmimeve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related