DEA amerikane “zbarkon” në Tiranë, i lë porosi të prerë Ilir Prodës që policia të shtojë forcën goditëse ndaj kr*mit

Data

Agjencia e Drogës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (DEA) ka dërguar një mesazh të fortë dhe të qartë për autoritetet ligjzbatuese shqiptare, teksa ka kërkuar që lufta kundër krimit të organizuar duhet të intensifikohet dhe të mos lejohet asnjë kompromis. Drejtues të DEA-s amerikane kanë zbarkuar ditën e djeshme në Tiranë, ku janë takuar me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Atasheu i DEA-s me qendër në Athinë, John Livanis, i cili u shoqërua në këtë takim nga Atasheu i ICITAP-it Richard Deasy, teksa ka uruar Prodën për detyrën e re, i ka lënë atij edhe një porosi të luftojë krimin e organizuar.

Gjithashtu, Atasheu Livanis shprehu gatishmërinë e strukturave të DEA-s, për ta forcuar bashkëpunimin me Policinë shqiptare në të gjitha frontet e luftës kundër fenomeneve kriminale, njoftoi dje policia gjatë një deklarate të shpërndarë për mediat. Ndërkaq, sipas njoftimit, drejtor Proda shprehu mirënjohjen për kontributin e DEA-s, në operacionet policore ndërkombëtare, shumë komplekse, që kanë pasur objektiv shkatërrimin e grupeve kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike

Mesazhi

Pra duket qartë se përfaqësuesit e DEA-s i kanë lënë një porosi të prerë drejtorit të Përgjithshëm të uniformave blu, Ilir Prodës, që të forcojë veprimin e policisë dhe goditjen ndaj grupeve kriminale që operojnë në territorin shqiptar, duke pasur parasysh se Shqipëria vazhdon të jetë një pikë kyçe për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.

Kjo ndërhyrje e DEA-s nuk është vetëm një paralajmërim, por një thirrje për autoritetet shqiptare që të rrisin vigjilencën dhe të zbardhin operacionet e pastrimit të parave të bëra nga grupet kriminale, të cilët dyshohet se kanë përdorur sistemin financiar për të fshehur paratë e fituara nga veprimtari kriminale dhe nga trafiku i drogës. Kështu që kjo thirrje e amerikanëve është një moment kritik për të parë se sa seriozisht do të merren institucionet ligjzbatuese shqiptare në luftën për të pastruar sistemin nga këto veprime kriminale.

Çfarë ka ndodhur?

Ndërkohë kujtojmë se DEA amerikane pritet që të hapë zyrë në Tiranë në kuadër të luftës kundër trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave. Tashmë, nuk do të ketë vetëm një asistent që operon në vendin tonë, por në vijim pritet që DEA të ketë një zyrë të sajën në vendin tonë. Lajmi është bërë me dije nga SPAK disa javë më parë, në një njoftim të ndarë nga mediat, ku tregohen detaje të një takimi në Athinë mes kreut të SPAK, Altin Dumani dhe administratoren e DEA-s amerikane Anne Milgram. Gjatë këtij takimi, Milgram vlerësoi rezultatet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, me fokus të veçantë në trafikimin e narkotikëve. Të dy drejtuesit riafirmuan bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy agjencive dhe u angazhuan për forcimin e tij, i cili do të kulmojë me hapjen e përfaqësisë së DEA-s në Tiranë.

Pastrimi i parave

Nga ana tjetër, theksojmë se për parandalimin e pastrimit të parave dhe korrupsionit transnacional u fol dje edhe gjatë tryezës të komisionit “Antikorrupsioni”. Gentian Ndoi, drejtor për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar  zbuloi se ka informacione që kriptovalutat po përdoren gjerësisht për të fshehur dhe pastruar paratë që vijnë nga krimi. “Jemi duke krijuar një qasje të re dhe me kriptovalutat, pasi informacionet janë që kriptovalutat përdoren gjerësisht për të fshehur pasuritë që vijnë nga krimi dhe e dyta për të lehtësuar pastrimin e këtyre parave.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related