Rritja e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe lufta në Iran po reflektohen edhe në tregun e karburanteve në Kosovë, ku çmimi i naftës ka shënuar rritje në ditët e fundit.
Në disa pika karburanti, një litër naftë ka arritur deri në 1.45 euro, ndërsa deri të shtunën dizeli shitej nga 1.23 deri në 1.44 euro për litër. Ndërkohë, benzina varionte nga 1.24 deri në 1.34 euro për litër.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, tha se situata ndërkombëtare po ndikon drejtpërdrejt në çmimet e derivateve.
Sipas tij, një nga arsyet kryesore është përshkallëzimi i konfliktit në rajon dhe rreziku për ndërprerje të prodhimit dhe transportit të naftës, veçanërisht në ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
Berjani theksoi se çdo problem në këtë korridor reflektohet menjëherë në tregjet globale dhe, rrjedhimisht, edhe në Kosovë.
Megjithatë ai siguroi se nuk ka arsye për panik, pasi në vend ka rezerva të mjaftueshme karburanti dhe çmimet, sipas tij, mbeten ndër më të ulëtat në rajon.
Ndërkohë qytetarët dhe bizneset thonë se rritja e çmimeve po ndihet menjëherë në ekonominë e përditshme, duke ndikuar në koston e transportit dhe në shtrenjtimin e produkteve të tjera.
