Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka firmosur këtë të enjte disa dekrete që lidhen me ndryshime të rëndësishme në drejtimin e Forcave të Armatosura.
Me Dekretin nr. 25, datë 16 janar 2026, Kreu i Shtetit ka vendosur lirimin nga detyra të Nënadmiral Adnand Dëfrim Agastrës, i cili mbante postin e Komandantit të Forcës Detare.
Në vend të tij, me Dekretin nr. 26, datë 16 janar 2026, Presidenti ka emëruar Kundëradmiral Arsen Burhan Mullaj si Komandant të ri të Forcës Detare.
Gjithashtu, Presidenti Begaj ka firmosur edhe disa dekrete për dhënien e gradave madhore në Forcat e Armatosura. Me Dekretin nr. 27, Kolonel Razije Kadri Mehmeti, Drejtore në Drejtorinë e Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak J-9 në Shtabin e Përgjithshëm, është graduar me gradën “Gjeneral Brigade”.
Me Dekretin nr. 28, Kolonel Fatmir Sadri Neziraj, Drejtor në Drejtorinë e Operacioneve dhe Stërvitjes J-3/7 në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, është graduar gjithashtu me gradën “Gjeneral Brigade”.
Po ashtu, me Dekretin nr. 29, Kolonel Edmond Abaz Voci, Komandant i Qendrës së Kontroll-Raportimit në Forcën Ajrore, është graduar me gradën “Gjeneral Brigade”.
Vendimet synojnë forcimin e strukturave drejtuese dhe rritjen e kapaciteteve profesionale në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
