Para ndeshjes së radhës, Interi do të ketë përballë jo vetëm një kundërshtar në fushë, por edhe dy figura që mund të kishin qenë pjesë e projektit zikaltër: trajnerin Cesk Fabregas dhe talentin argjentinas Niko Paz. Të dy u afruan shumë pranë Interit, por asnjëra tratativë nuk u konkretizua.
Fabregas, trajneri që ishte shumë pranë stolit zikaltër
Drejtuesit e Interit zhvilluan një takim të gjatë në Londër me Fabregasin gjatë verës, ku i prezantuan projektin teknik dhe financiar. Në Milano e shihnin ish-mesfushorin e Barcelonës si një zgjedhje moderne dhe ambicioze për të drejtuar ekipin.
Megjithatë, Komo nuk e lejoi largimin e tij, ndërsa vetë Fabregas vendosi të vazhdojë projektin që kishte nisur. Synimet e tij për të rritur ekipin nga liqeni dolën përpara mundësisë për të marrë drejtimin e një klubi të madh si Interi. Kështu, një nga pistat më intriguese të merkatos verore u mbyll pa rezultat.
Niko Paz, talenti që i shpëtoi zikaltërve
Interi kishte kohë që ndiqte Niko Pazin, një nga talentet më premtues të futbollit argjentinas. Madje, zëvendëspresidenti Havier Zaneti u përfshi personalisht në bisedime, duke përdorur lidhjet e tij në Argjentinë dhe Europë.
Por Real Madridi dhe Komo nuk pranuan asnjë ofertë, pavarësisht interesimit serioz dhe konkurrencës së klubeve të tjera të mëdha. Edhe kur Totenhemi ofroi 75 milionë euro, dy klubet e përfshira mbajtën qëndrimin e tyre të prerë: Paz nuk ishte në shitje. Kështu, Interi humbi një potencial afatgjatë në mesfushë.
Dy histori që takohen sërish – këtë herë si kundërshtarë
Tani, Fabregas si trajner i Komos dhe Paz si ylli në ngjitje i ekipit do të jenë përballë Interit në fushë. Një ironi e bukur e futbollit: dy prej figurave që dikur mund të kishin qenë pjesë e projektit zikaltër, sot janë pengesa që duhet kapërcyer.
Interi përballet kështu jo vetëm me një sfidë sportive, por edhe me dy kujtime merkatoje për atë që mund të kishte qenë, por nuk u bë kurrë.
