Pak çaste përpara nisjes së seancës plenare në Kuvend, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka zhvilluar një mbledhje të papritur, duke shtuar spekulimet për qëndrimin që opozita do të mbajë në sallën e Parlamentit.
Takimi është zhvilluar në prag të hyrjes së deputetëve në seancë dhe ka pasur karakter urgjent, çka tregon për një koordinim të fundit politik mes demokratëve. Burime parlamentare bëjnë me dije se në fokus të diskutimeve ka qenë qëndrimi i PD-së lidhur me votimin e aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën, çështje që pritet të hidhet sot për miratim.
Mbledhja vjen në një moment sensitiv politik, teksa opozita ka shprehur më herët rezerva për procedurat e ndjekura nga mazhoranca, por ka sinjalizuar edhe mbështetje për angazhimet ndërkombëtare që lidhen me paqen dhe sigurinë globale.
Qëndrimi përfundimtar i Partisë Demokratike pritet të reflektohet gjatë seancës plenare, ndërsa lëvizja e minutës së fundit ka rritur vëmendjen ndaj vendimeve që opozita mund të marrë në sallën e Kuvendit.
